Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 19:00

90 % e karburanteve që tregtohen në Shqipëri janë të një cilësie të lartë dhe përmbushin standartet europiane. Kështu është shprehur kreu i Inspektoriatit Qendror Teknik (IQT), Ardian Alushi, duke pohuar se në treg nuk qarkullon naftë dhe benzinë e përzier. Sipas tij, ligji po respektohet nga të gjitha kompanitë që tregtojnë karburant, duke përjashtuar disa raste sporadike.

Por ndryshe mendojnë drejtuesit e automjeteve. Të pyetur, ata thonë se cilësia e dobët e karburanteve u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Dëmi bëhet edhe më i papërballueshëm duke marrë në konsideratë rritjen e çmimit të karburanteve.

Çmimet e karburanteve gjatë këtyre ditëve po njohin nivele rekord, duke u tregtuar deri në rreth 190 lekë për litër. Kostos ekonomike që duhet të paguajë shoqëria shqiptare i shtohet edhe kostoja sociale, pasi karburantet e cilësisë së dobët emetojnë gazra më të shumta në ambient të dëmshme për shëndetin.