Prishtinë-Grupi për zbatimin e marrëveshjes për kadastrat inspektoi dokumentet kadastrale të Kosovës në qendrën komunale Krushevac të Serbisë.
Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për kthimin e dokumenteve kadastrale të arritur në dialogun teknik më 2 shtator 2011, dje grupet e ekspertëve kadastral të Republikës së Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian qëndruan në Qendrën Komunale në Krushevac të Serbisë për të parë gjendjen e dokumentacionit kadastral të marrë nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999 si dhe zhvilluan takimin e tretë për zbatimin e marrëveshjes për kthimin e dokumentacionit kadastral.
Ekipi i ekspertëve kadastral të Republikës së Kosovës për herë të parë pati rastin që të shohë gjendjen momentale të dokumentacionit kadastral të Kosovës, me ç’rast u inspektuan dokumentet kadastrale të komunës së Prishtinës, Prizrenit, Deçanit, Gjakovës, Zveçanit dhe të Suharekës që ishin të vendosur në këtë qendër komunale.
Sipas komunikatës së dhënë sot nga zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës, ekspertët nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Pronës konstatuan se ky material ishte në gjendje të mirë dhe i gatshëm për t’u skanuar dhe certifikuar nga BE-ja.
Pas këtij inspektimi, u zhvillua takimi i grupit trepalësh për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Në takim u vlerësua shkalla e përgatitjeve për zbatimin e marrëveshjes, ku pala serbe njoftoi për fillimin e procesit të grumbullimit të të gjithë dosjeve kadastrale në një qendër të vetme për të lehtësuar dhe shpejtuar procesin e skanimit të tyre.
Po ashtu, pala serbe dorëzoi tek pala e Kosovës listën e dokumentacionit kadastral të komunës së Suharekës si shembull i cili duhet të përgatitet edhe për të gjitha komunat e tjera të Republikës së Kosovës të cilave u janë marrë dosjet kadastrale.
Pala serbe dorëzoi edhe specifikacionet e përgatitura për mënyrën e skanimit të dokumentacionit kadastral si dhe fjalorin e të dhënave që përdoret nga Enti i tyre Republikan për Kadastër.
Në fund palët ranë dakord që takimi i radhës i grupit për zbatim të kësaj marrëveshje të zhvillohet gjatë muajit shkurt në Prishtinë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 January 2012 12:18