Lajme Shqip Tuesday, 27 December 2011 12:21

Iniciativa e liderëve serb të veriut të Kosovës për mbajtjen e referendumit, lidhur me pëlqimin a dëshirojnë serbët që të vendosen institucionet e Kosovës në veri, është quajtur si aventurë e tyre nga ana e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë.

Borisllav Stefanoviç, udhëheqësi i bisedimeve të Beogradit me Prishtinën, ka deklaruar se një iniciativë e tillë e serbëve të Kosovës është bërë në kuzhinat e partive politike në Beograd dhe kanë rënë pre e Këshillit Nacional Serb. Sipas tij, autoriteti i komunave të Serbisë nuk është për të organizuar referendume, por ato kanë kompetenca për sa i përket pagesave të tatimeve, etj. “Duhet vetëm të cekin faktin se kush do ta financojë këtë referendum,” ka thënë Stefanoviç.

Në anën tjetër, i ashtuquajturi Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka theksuar se një iniciativë e tillë është e gabuar dhe se kjo Serbinë do ta largonte edhe më tej përsa i përket vendimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE.