Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 11:15

Tiranë -Avokati i Popullit, Igli Totozani, shprehu sot, me anë të një deklarate për shtyp, “falenderim dhe vlerësim të veçantë për policinë, e cila e dëshmoi veten në lartësinë e detyrës, duke përballuar me profesionalizëm situatën e krijuar dje në repartin ushtarak të Sharrës, gjatë dërgimit atje nga Ministria e Punës të 8 familjeve të komunitetit rom”.

“Ftojmë grupin e vogël të banorëve fqinj me repartin ushtarak, të përfshirë në incidentet e djeshme me policinë, që t’i bashkohen frymës së tolerancës dhe bashkëjetesës së qytetarisë së mirë”, tha Totozani. “Përkrahim Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në përpjekjet për të siguruar kushte normale jetese për familjet e minoritetit rom dhe e nxisim atë për plotësimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit lidhur me kushtet bazë të jetesës në ish- repartin ushtarak në zonën e Sharrës”, deklaroi Avokati i Popullit.  

Ai theksoi se sot është 9 Maji, dita e paqes dhe e unitetit në Europë. “Në këtë Ditë të Europës, është koha të përsërisim apelin që kemi bërë që në ditët e vështira të dimrit të këtij viti, kur ky komunitet i dëbuar u bë i njohur për publikun, se vlerat evropiane janë një pikësynim i përditshëm i kuptuar tashmë qartë nga qytetarët e këtij vendi”, tha Totozani.

Me dëshirën për t’ju bashkuar këtij kontributi qytetar në ndërtimin ditë pas dite të një shoqërie që respekton veten, duke respektuar barazinë, të drejtat e njeriut dhe të jetuarit në harmoni mes komuniteteve, Avokati i Popullit shprehu vlerësimin më të lartë për institucionet evropiane, për mbështetjen e vazhdueshme që ato i kanë dhënë dhe po i japin Shqipërisë gjatë përpjekjeve të saj për integrim në BE. (LajmeShqip.com)