Lajme Shqip Saturday, 09 June 2012 14:49

Tiranë – “Tirana dhe Elbasani bashkohen sot nën dritën e këtij tuneli përjetë me njëri-tjetrin”, u shpreh sot Kryeministri Sali Berisha, në ceremoninë e inaugurimit të hapjes përfundimtare dhe bashkimit të dy anëve të tunelit të Qafë Kërrabës, një segment i rëndësishëm i autostradës Tiranë-Elbasan.

Në një atmosferë festive, Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, deputetë të Tiranës dhe Elbasanit, drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të kompanisë “AKTOR.SA” si dhe qindra qytetarë elbasanas dhe banorë të zonave përreth, asistuan në shfaqjen e dritës në anën tjetër të tunelit, 6 muaj para afatit të parashikuar dhe nisjen e një faze të re ndërtimi, në vazhdimin e autostradës Tiranë-Elbasan.

Berisha e cilësoi tunelin e Qafë Kërrabës si një nga segmentet më nevralgjike të gjithë infrastrukturës së vendit tonë. “Tuneli dhe rruga Tiranë-Elbasan janë segmenti më i rëndësishëm i Korridorit 8-të dhe segmenti kryesor i Korridorit të Jugut. Kjo autostradë shkurton ndjeshëm distancën e lidhjes së Tiranës me të gjitha qytetet e tjera në juglindje të vendit”, tha Berisha.

Sipas Kryeministrit, “pas Rrugës së Kombit, kjo është vepra e dytë më e madhe në infrastrukturë që ndërtohet në Shqipëri”. “Ndërtimi i këtij tuneli u bë i mundur në një kohë të shkurtër, duke bërë realitet një ëndër që shumë pak kush e besonte”, tha Berisha, duke falenderuar të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në ndërtimin e këtij tuneli. Kryeministri gjithashtu theksoi se “kjo është autostrada e fuqizimit të tregut që do të krijojë një nga tregjet më të mëdha të Ballkanit dhe më gjerë”. “Tuneli dhe rruga kanë një fond prej një çerek milardë dollarë, investim ky i qeverisë shqiptare, me mbështetjen e Bankës Islamike për Zhvillim. Mirënjohje të thellë Presidentit të Bankës, Mohamed Ali, i cili me një akt të madh miqësie garantoi një mbështetje të tillë. Kjo është vepra e dytë më madhore. Zotohem para jush se gjysmën e parë të vitit 2013 Tirana dhe Elbasani do të bashkohen përjetësisht me njëra-tjetrën”, deklaroi Berisha.

“Vendimi për ndërtimin e rrugës ishte një nga më të mëdhatë e qeverisë sonë për të bashkuar Tiranën dhe Elbasanin. Por dhe i imi, kjo për qëllimin e vetëm për të nderuar shqiptarët në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, pasi nuk mund të kishte dhuratë më të bukur sesa një vepër e tillë. Tuneli i bashkoi këto vende në prag të 134 vjetorit të kryengjarjes sonë të bashkimit nën Lidhjen e Prizrenit”, theksoi kreu i qeverisë. Kryeministri Berisha vuri në dukje se tuneli dhe autostrada Tiranë-Elbasan u bënë të mundur në një kohë krize ekonomike në Europë dhe botë, nga fondet e buxhetit të vitit 2011, i cili u kontestua nga opozita.

Ndaj, Berisha i bëri thirrje kreut të PS-së, Edi Rama, që t’u kërkojë falje qytetarëve të këtyre zonave, sepse vota e opozitës kundër fondeve të ndërtimit të këtij tuneli do të nxijë në arkivat e Kuvendit të Shqipërisë. 

Ndërtimi i tunelit të Kërrabës, në autostradën Tiranë-Elbasan, që u inaugurua sot, nisi më 29 prill të vitit 2011. Autostrada Tiranë-Elbasan përbën, pas Rrugës së Kombit, veprën e dytë më të madhe publike që ndërtohet në historinë e kombit shqiptar. Autostrada e re bashkon Elbasanin me Tiranën, i shndërron ato në një treg unik, ndër më të rëndësishmit në rajon. Autostrada e re shkurton mbi 50 minuta, në distancë e shpejtësi, rrugën drejt Elbasanit dhe kjo jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por edhe për qytetarët e Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut.

Rruga do të ketë katër korsi, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime, me një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra. Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli, me një gjatësi prej rreth 2.4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali. Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 në 120 km në orë. Por bashkë me këtë segment, qeveria ka në plan të mbyllë brenda 4 vitesh gjithë Boshtin rrugor të Jugut.

Vlera totale e investimit të segmentit prej rreth 290 milionë dollarësh u sigurua përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjera si Fondi i Abu Dhabi-t, në shumën 50 milionë USD; Fondi Saudit pr Zhvillim, 25 milionë USD; Fondi OPEC, në shumën 24 milionë USD; si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare, i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit. (LajmeShqip.com)