Tiranë – Angazhimet, detyrimet dhe kontributet e deritanishme dhe ato të pritshme të vendit tonë, në operacionet e drejtuara nga NATO, u diskutuan në takimin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, me Admiralin James Stavridis, Komandant i Komandës së Aleancës për Operacionet.
Pas mbylljes së takimit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, Imami zhvilloi një vizitë në SHAPE, ku u takua me Admiralin Stravidis.
Gjatë takimit, Imami bëri një ekspoze të statusit aktual dhe proceseve të reformimit dhe ristrukturimit nëpër të cilat po kalojnë Forcat e Armatosura shqiptare, angazhimet e deritanishme në operacione, rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë në rajon, në interes të paqes dhe sigurisë, si dhe ndihmesën e ofruar vendeve të rajonit në kuadër të nismave rajonale dhe më gjerë.
Imami u ndal në zhvillimet dhe situatën më të fundit në Kosovë. “Për shkak të tensionimit të situatës në Veriun e Mitrovicës, vlerësoj se planet e NATO-s për reduktimin e trupave në terren duhet të rishikohen dhe përshtaten në varësi të sigurisë në Kosovë”, tha Imami.
Sipas tij, zgjidhja e vetme për problemet në Veri të Kosovës mbetet zgjidhja politike, që duhet të vijë si fillim nga Beogradi. “Fakti është se e gjithë kjo përpjekje e NATO-s vjen për shkak se Beogradi mbështet pikërisht këto struktura paralele, dhe në një mënyrë ose në një tjetër edhe grupet kriminale kanë fijet edhe lidhjet e tyre në Beograd. Sigurisht që ka nevojë për një zgjidhje politike, në këtë kuptim, besoj se zgjidhja politike në radhë të parë i takon Beogradit për të respektuar nevojat dhe interesat e paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka theksuar ministri Imami.
Ministri Imami është shprehur se pavarësisht shtrëngesave buxhetore, Shqipëria mbetet e angazhuar për t’u qëndruar detyrimeve të saj, dhe për të kontribuar për avancimin e kapaciteteve ushtarake të Aleancës dhe për të kontribuar në misionet e saj. “Shqipëria është e vendosur t’i shkojë kësaj rruge, të mbështesim siç vendosëm edhe dje së bashku, të gjithë ministrat, fjala vjen vëzhgimin tokësor. Kontributet do të rriten. Ky është një detyrim për shkak se ne sigurinë tonë kombëtare e kemi të mbështetur tek kjo siguri kolektive”, tha Imami.
Ministri Imami përmendi edhe rritjen e kapaciteteve të FA dhe kontributin gjithnjë e në rritje që vendi ynë po jep në kuadër të operacioneve të Aleancës. “Për herë të parë kemi çuar një kompani speciale, e cila kryen misione luftimi. Kemi çuar një grup OMLT, i cili do të ngrejë në këmbë një batalion të forcave afgane të sigurisë. Kemi çuar, së bashku me vende të tjera të rajonit, personel për ngritjen e një shkolle të policisë ushtarake afgane. Do të çojmë në fillimin e vitit të ardhshëm një ekip trajnues, mjekësor dhe shëndetësor. Po mendojmë për ngritjen e kapaciteteve të tjera të kësaj natyre”, shtoi ministri Imami.
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kanë diskutuar në Bruksel për konceptin e ri të mbrojtjes, të inicuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen për “Mbrojtjen Inteligjente”, e cila parashikon përdorim më efikas të buxhetit të mbrojtjes nga vendet anëtare si dhe rritje të kapaciteteve ushtarake të Aleancës nëpërmjet këtij përdorimi efikas të parave.
Një diskutim më i gjerë për mbrojtjen inteligjente do të zhvillohet në samitin e radhës të NATO-s, i cili pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm në Çikago, SHBA.
Ministrat e Mbrojtjes kanë shprehur angazhimin e vendeve anëtare të NATO-s për vijimin e operacionit në Libi, si dhe për ndihmën që do i jepet Afganistanit edhe përtej periudhës së tranzicionit, e cila pritet të përfundojë në vitin 2014.
Saturday, 08 October 2011 08:19