Lubjanë, Shkup – Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe të Ballkanit IFIMES, me seli në Lubjanë, vlerëson se Qeveria e re pas zgjedhjeve të 5 qershorit, do të përbëhet nga shumë parti maqedonase dhe shqiptare, pa pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së. Sipas analizës së IFIMES, Qeveria e re mund të vazhdojë me sukses rrugën e anëtarësimit të plotë në BE si dhe në NATO. IFIMES vlerëson se Maqedonia kësaj radhe do të zgjedh midis rrugës së saj drejt Evropës apo kthim në të kaluarën antike me VMRO-DPMNE. Lidhur me fushatën zgjedhore, ky institut bën të ditur se partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI, kanë para për fushatë dhe se harxhojnë miliona të parave të buxhetit për promovimin e tyre. Andaj në analizë theksohet se shumë qytetarë dhe analistë parashtrojnë pyetjen se a duhet harxhuar aq para për bilborde, spote televizive dhe marketing politik, kur vendi gjendet buzë skamjes me 35 për qind të papunë. Madje, BDI në mungesë të projekteve gjatë fushatës, po flet për atë se çfarë do të bëjë në rast se do të marrë sërish mbështetjen, ndërsa gjatë kësaj nuk jepet llogari për atë se çfarë është bërë gjatë tre viteve të fundit të qeverisjes.
“Paraqitjet folklorike me sloganet ‘ne kemi luftuar’, ‘kemi sjellë Skënderbeun’ nuk duken aq bindëse te shqiptarët, para së gjithash te gjenerata e re, e cila ka pikëpamje tjetër rreth botës dhe dëshiron rezultate konkrete, dhe jo politikë me retorikë boshe“, thekson IFIMES. Analiza, madje bën të ditur se beteja kryesore do të udhëhiqet midis BDI dhe PDSH-së. Partia e Imer Selmanit, siç thuhet, për herë të dytë po pëson tronditje pas humbjes në vitin 2009, pasi që tani këtë parti e ka braktisur një nga themeluesit e saj, Sulejman Rushiti.
Ky Institut bën të ditur se DR nuk do të arrijë rezultate të theksuara në zgjedhje. IFIMES merret edhe me partinë e sapoformuar nga Rufi Osmani, RDK, sipas së cilës analizë, kjo parti drejtpërdrejt ka dobësuar BDI dhe tashmë të dobësuar DR-në. Instituti vlerëson se RDK nuk do të shkaktojë ndryshime tektonike në skenën politike shqiptare në Maqedoni.
Ndryshe, Instituti Ndërkombëtar IFIMES pret që BE dhe SHBA të bëjnë presione plotësuese ndaj Greqisë, që sa më shpejt të zgjidh kontestin e emrit. BE, siç thuhet do të humb kredibilitetin e saj në rast se nuk do të kyçet në mënyrë aktive për të ushtruar presione ndaj Greqisë dhe Bullgarisë, të cilat nuk njohin gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas.
Tuesday, 31 May 2011 11:11