Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 13:17

Fier- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, shoqata “Çamëria” dhe Klubi i Patriotëve të Rinj vijuan turin “Ji krenar që je shqiptar” në qytetin e Fierit.


Amendamentet e PDIU-së dhe përballja me qarqet që tentojnë të përfitojnë nga censusi i popullsisë në dëm të kombit shqiptar ishin në qendër të fjalës së kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Sipas tij, “PDIU beson shumë se amendamentet  e saj dhe veprimi dhe mendimi i shumë intelektualëve, apo i organizatave të shoqërisë, do ta frenojë këtë aksion shkombëtarizues të fqinjëve që kryhet në mes të ditës për diell, kur Shqipëria nuk është më ajo e fillim shekullit të 20. Ne do të frenojmë veprimin e atyre që duan ta shohin Shqipërinë të ndarë në shqiptarë, grekë, vllehë, maqedonas, romë, malazezë, myslimanë, katolikë, ortodoksë e bahai”.

Sipas Idrizi-t, “Nëse censusi do të zhvillohej ashtu si donin grekët, kjo rrugë e afrimit të Shqipërisë me perëndimin do kushtëzohej prej njerit prej shteteve më qesharakë të BE-së, sot, Greqisë.  Kushtëzimet që do të vinin prej të dhënave fiktive të censusit do të ishin shumë të rënda.” .

“Ne besojmë se amendamentet mundësojnë që procesi i censusit ta bëjë vetëdeklarimin e përkatësisë etnike sa më objektiv, sa më të qartë dhe më të besueshëm, siç kërkon neni 4 i ligjit për censusin. Ne mendojmë se qytetarët kanë të gjithë mundësitë të shprehin lirshëm se kujt grupi etnik apo fetar i përkasin”, deklaroi Idrizi.

“Në këto kushte ne i bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve: dilni e deklarohuni krenarë se jeni shqiptarë. Shqiptari nuk e mohon identitetin e tij. Shqiptari nuk e hedh poshtë origjinën dhe flamurin etij, për të cilën gjyshërit tanë kanë derdhur gjak. Kjo thirrje jona, ka karakter tërësisht ligjor, por dhe kombëtar. Çdo zgjidhje tjetër, krijon mundësi abuzimi. Deklarohuni shqiptar që përqindja e atyre që mund të vetëdeklarohen me kombësi tjetër, të mos rritet artificialisht. Sepse siç po e shohim, faktori destruktiv ndërkombëtar me mashat e veta në terrenin tonë po luan me disa skenare.

Nëse të dhënat e procesit do rezultojnë nën pritshmëritë e tyre, ata do të thonë se procesi është i manipuluar, nëse do të ketë të dhëna brenda pritshmërive të tyre, atëherë ata do të pranojnë procesin.  Këtë e tregojnë dhe qëndrimet e ndryshme të zërave brenda minoritetit, apo dhe angazhimi aktiv dhe i kundërligjshëm i konsullit grek në Korçë”,  theksoi Idrizi.

Sipas tij, “amendamentet e PDIU-së përcaktojnë se kushdo që do të deklarohet si grekë në një kohë kur në regjistrin e gjendjes civile është shqiptar do të penalizohet. INSTAT do të shënojë në statistikat e veta që personi në fjalë është shqiptar dhe një gjobë 1 milionë lekë do të paguhet nga ai që ka dhënë një deklarim të rremë”.

Ndërsa deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri theksoi se ky është patriotizmi i vërtetë. Duke komentuar mbi zhvillimet e fundit, Tahiri theksoi se patriotizmi i vërtetë është mbajtja mbi kurriz e kauzave kombëtare.

Gjatë takimit përshëndetën presidenti i nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, përfaqësues të shoqatës “Çamëria”, Klubit të Patriotëve të Rinj dhe mbështetës të këtyre forcave.