Tiranë -Kryeministri Sali Berisha priti sot në takim një grup investitorësh hungarezë të kompanisë CEH, të kryesuar nga Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i saj, Attila Tóth, i shoqëruar nga përfaqësuesi i Agjencisë Hungareze të Investimeve dhe Tregtisë, Sándor Krankovics dhe përfaqësuesi ekonomik për rajonin në ambasadën hungareze në Malin e Zi, Ervin Szél.
Kjo kompani, e specializuar në fushën e projektimeve dhe zhvillimeve urbane, ndërtimit, turizmit, infrastrukturës rrugore, vjen për herë të parë në Shqipëri, për të konkretizuar mundësi reale dhe projekte konkrete investimi dhe bashkëpunimi.
Presidenti i kompanisë CEH, pasi i shprehu Kryeministrit Berisha simpatinë dhe përgëzimet për arritjet ekonomike të Shqipërisë, dhe klimën ftuese dhe me lehtësira të shumta për të bërë biznes, tha se vizita e grupit të tij ishte një hap i natyrshëm që bën çdo investitor, kur ndjen mundësi biznesi dhe investimi.
Prezantimi i potencialeve investuese të Shqipërisë, bërë gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Hungari, tërhoqi vëmendjen dhe bëri kompaninë time të drejtohej drejt Shqipërisë, tha ai.
Ne e shohim Shqipërinë jo vetëm si një vend mik, por edhe si një vend, ku mund të kemi partnerë dhe bashkëpunëtorë në projekte investimesh biznesi. Kryeministri Berisha i falenderoi përfaqësuesit e kompanisë, si dhe ata të qeverisë hungareze dhe Agjencisë së Investimeve për këtë vendimmarrje në lidhje me projekte investimesh në Shqipëri.
Ai garantoi mbështetjen e gjithanshme të strukturave të qeverisë së tij për të akomoduar projektet e mundshme të kësaj kompanie dhe për t’i kthyer ato në histori suksesi të dyanshëm.
Kryeministri u prezantoi mundësi konkrete për realizimin e projekt-ideve të tyre në fushën e turizmit, në infrastrukturë, në ndërtim rrugësh si rruga e Arbrit, unaza e madhe e Tiranës, zgjatimi i bulevardit të Tiranës, vepra energjetike si hidrocentrale, si dhe sisteme të ujërave të pastra dhe kanalizimeve.
Wednesday, 18 April 2012 19:40