Lajme Shqip Wednesday, 14 September 2011 20:02

Prishtinë – Në ditën e tretë dhe përmbyllëse të vizitës në Egjipt, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të partive politike, liderë shpirtëror dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Ministri Hoxhaj ka marrë pjesë në një darkë të shtruar, mbrëmjen e së martes nga Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ku ishin të pranishëm edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Ligës Arabe dhe përfaqësues të Qeverisë së Egjiptit.

Kryediplomati kosovar, ka falënderuar kryeministrin Erdogan për ndihmën që i ka dhënë Republikës së Kosovës në procesin e përmbylljes së njohjeve. Ndërsa, Kryeministri Erdogan ka kërkuar nga shtetet anëtare të Ligës Arabe që të pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, Ministri Hoxhaj është pritur nga lideri shpirtëror i myslimanëve me seli në Kajro, Sheikh Al Azhar Ahmed El Taib.”Shpresoj që së shpejti të gjitha vendet arabe të pranojnë pavarësinë, në mënyrë që Kosova të bëhet anëtare e plotë e OKB-së”, ka thënë El Taib, pas takimit.

Në përmbyllje të vizitës në Egjipt, Ministri Hoxhaj ka takuar edhe përfaqësues të Këshillit Transitor të Libisë, ku i ka informuar ata, për vendimin e Republikës së Kosovës, e cila ka pranuar këtë këshill si autoritetin e vetëm qeverisës në Libi.

Nga ana tjetër, Faiz Jibril, përfaqësues i kongresit popullor të Libisë ka thënë se politika e Gaddafit tashmë ka marr fund në Libi, duke shtuar se Gaddafi asnjëherë nuk ka përfaqësuar mendimin e shumicës së popullit, por gjithmonë interesat personale.”Libia është vonuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo ka qenë njëra nga katastrofat më të mëdha të Gaddafit. Jam pajtuar me Ministrin Enver Hoxhaj që të fillojmë vendosjen e kontakteve për të arritur deri të njohja”, ka thënë ai.

Ministri Hoxhaj edhe në ditën e tretë të vizitës ka vazhduar takimet me kandidatë për president të Egjiptit. Ai me këtë rast ka takuar Ayman Nur, njëri nga kandidatët për president. Ministri Hoxhaj ka marr përkrahjen edhe nga ai, se Qeveria e Egjiptit do të marr vendimin për njohje pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike.