New York- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar të shtunën, në New York, Ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Mohamed Kamel Amr.
Sipas MPJ-së kosovare, Ministri Hoxhaj ka theksuar se pas ndryshimeve pozitive, Egjipti me një sistem të ri politik, duhet të ketë një politikë të re të jashtme ndërkombëtare dhe të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës.
“Egjipti është në kohën e tranzicionit dhe kam marrë mbështetje nga Ministri i Jashtëm që pas formimit të institucioneve demokratike të dala nga zgjedhjet, Egjipti do të marrë vendim pozitiv për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka theksuar se Republika e Kosovës fillimisht është e interesuar të vendos marrëdhënie diplomatike me Egjiptin, dhe më pas të ketë edhe një shkëmbim të fuqishëm ekonomik dhe tregtar.
“Egjipti është një vend që mund të ushtrojë ndikim tek vendet arabe, tek ato myslimane, tek 57 shtetet anëtare të Organizatës për Kooperim Islamik, si dhe tek shtetet anëtare të Ligës Arabe dhe në disa shtete të Afrikës”, ka thënë Hoxhaj.
Gjatë ditës së sotme, Ministri Hoxhaj pritet të takohet edhe me Ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Irakut dhe Jemenit. Hoxhaj do të kërkojë që edhe këto vende të njohin sa më parë pavarësinë e Kosovës
Sunday, 25 September 2011 13:14