Prishtinë – Ministri i Jashtëm i Kosovës merr mbështetje të fuqishme për njohje nga Egjipti dhe 12 shtete të Ligës Arabe.
Zyra e shtypit e MPJ-së së Kosovës, bëri të ditur se kryediplomati, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës së tij në Egjipt, ka marrë premtime nga liderët politikë dhe shpirtërorë se Kajro shumë shpejt do ta njohë shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka marrë mbështetje të fuqishme nga përfaqësues të lartë të Organizatës së Ligës Arabe, ku nga 22 shtete anëtare, vetëm 10 kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, dr. Nabil Al Arabi, Ministri Hoxhaj është siguruar se 12 shtetet anëtarë të kësaj organizata që ende nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Gjatë këtij takimi, kreu i diplomacisë kosovare, ka kërkuar nga Al Arabi që të ushtrojë ndikimin e tij tek shtetet anëtare të Ligës Arabe që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa, Sekretari i Ligës Arabe, dr. Nabil Al Arabi është shprehur se Egjipti dhe shtetet e tjera anëtarë të Ligës Arabe nuk kanë më kurrfarë arsyeje të mos e pranojnë pavarësinë e Kosovës.
“Ne kemi simpati për popullin dhe pavarësinë e Kosovës. Ne do t’ju mbështesim dhe do të kërkojmë nga shtetet anëtare të Ligës Arabe që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Unë nesër do t’i takoj të gjithë ministrat e Punëve të Jashtme të 22 shteteve anëtare, do t’i njoftoj me takimin që patëm dhe do ta shtroj kërkesën tuaj për njohje”, ka deklaruar Al Arabi.
Në një konferencë për medie, Ministri Hoxhaj ka falënderuar z. Al Arabi për mbështetjen që Egjipti dhe Organizata e Ligës Arabe i ka dhënë Republikës së Kosovës në vitet e shkuara.
“Ne kemi marrë mbështetje të fuqishme për pavarësinë e Kosovës. Ne besojmë se Egjipti përveç që do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ai po ashtu do të ushtrojë ndikimin e tij në tërë botën arabe”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka përshëndetur ndryshimet demokratike në Egjipt, duke thënë se populli i Kosovës gjithmonë ka qenë përkrah popullit të Egjiptit në kauzën e tij për liri, dinjitet dhe demokraci.
Ndërsa në takimin e zhvilluar me kandidatin kryesor për president të Egjiptit, Amr Moussa, Hoxhaj ka marrë premtime se Egjipti menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Në takim unë i thashë Ministrit Hoxhaj se Egjipti shumë shpejt do të njohë pavarësinë e Kosovës. Këtu nuk ka më dilemë. Por, fillimisht duhet të mbahen zgjedhjet demokratike në Egjipt”, është shprehur Moussa.
Gjatë vizitës së tij, ministri Hoxhaj, ka zhvilluar një takim edhe me Kryemyftiun e Egjiptit, Sheikh Ali Goma’a, të cilin e ka falënderuar për mbështetjet që i ka dhënë pavarësisë së Kosovës në Egjipt dhe vende të tjera myslimane.
Kryemyftiu Ali Goma’a u shpreh se “në tri vjetët e fundit ai vazhdimisht ka kërkuar nga Qeveria e Egjiptit dhe vendet e tjera islamike që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.”Tani ka ardhur koha që kjo të ndodhë. Çështja e njohjes është shumë afër. Ne do të mbështesin popullin e Kosovës edhe në të ardhmen”, ka shtuar ai.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, ka zhvilluar takime edhe me udhëheqësit e revolucionit demokratik në Egjipt, në Sheshin Tahrir, ku është përshëndetur nga dhjetëra qytetarë të pranishëm.
Ndërsa në ditën e dytë të vizitës së tij, krydiplomati kosovar, do të takojë të gjithë liderët politikë të partive më të mëdha si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medieve.
Monday, 12 September 2011 17:41