Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 12:21

Tiranë-Aksioni i Vetevëndosjes për të bllokuar dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë është i papranueshëm. Kështu kanë deklaruar ministrat e jashtëm të Shqipërisë e Kosovës, respektivisht Edmond Haxhinasto dhe Enver Hoxhaj.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me zv/kryeministrin Haxhinasto, shefi i diplomacisë kosovare foli për aksionin e paralajmëruar të lëvizjes, Vetëvendosje për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë, duke nënvizuar se cdo akt dhune është i papranueshëm.

Sipas ministrit kosovar, është qeveria ajo që ka përgjegjësi për mënyrën se si duhet të sillet karshi Serbisë, duke i qëndruar axhendës europiane të vendit.

“Çdo sjellje e dhunshme dhe cdo akt, që është kundër ligjeve dhe Kushtetutës për ne si qeveri e Kosovës është i papranueshëm dhe nuk është një qasje europiane. Akte te tilla për qeverinë e Kosovës janë të papranueshme dhe ne në cdo formë jemi kundër bllokimit në mënyra të paimagjinuara të pikave kufitare me Serbinë”- deklaroi Hoxhaj.

Ndërsa homologu i tij i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cilësoi veprime ekstremiste, aksionin e fundit të Lëvizjes Vetvendosje për të bllokuar kufirin me Serbinë.

“Nuk mbështesim veprimet ekstremiste siç janë bllokimi i rrugëve apo pikave kufitare, këto veprime nuk janë pjesë e marrëveshjeve të dialogut”, tha Haxhinasto.

Sipas tij, në këtë takim është diskutuar ndër të tjera edhe për progresin e institucioneve të Kosovës, për ngritjen e një komisioni të përbashkët të zhvillimit ekonomik, si edhe për situatën aktuale politike atje.

Haxhinasto u shpreh se Shqipëria ndjek me vëmendje procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, ndërsa kërkon zbatimin e marrëveshjeve të arritura. “Për Kosovën plani i Ahtisarit është e vetmja alternativë që duhet zbatuar në veri”-tha Haxhinasto. (LajmeShqip.com)