Shkup – Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanoski, në takim me eurodeputetin dhe raportuesin për Republikën e Maqedonisë, Riçard Hovit, duke i përmbledhur gjërat e realizuara në periudhën e kaluar, shprehu bindje se edhe Raporti i sivjetmë i Komisionit Evropian për zhvillimin e shtetit do të jetë pozitiv dhe se sërish do të jepet rekomandim për fillimin e negociatave.
Siç kumtoi Kabineti i kryetarit Veljanoski, ai ka theksuar se pret që raportet e Hovitit të jenë reale dhe me shqyrtim objektiv të realizimeve dhe arritjeve të të gjitha subjekteve politike.
“Veljanoski bëri retrospektivë të shkurtër të ngjarjeve dhe arritjeve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në periudhën e kaluar… u përqendrua në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u zbatuan me sukses, të cilat e konfirmuan kapacitetin demokratik të Republikës së Maqedonisë, potencoi se të gjitha reformat në shtet fillimisht bëhen për qytetarët, për zhvillimin tonë ekonomik dhe arritjet e konkurrencës tonë në tregjet evropiane dhe më gjerë”, theksohet në kumtesë.
Hovit është pajtuar me mendimin e Veljanoskit se zhvillimi ekonomik është kurcial dhe se pret rritje në planin ekonomik me bashkimin tonë në familjen evropiane.
“Hovit theksoi kënaqësi që zgjedhjet e parakohshme parlamentare kaluan me sukses, se është bërë një hap përpara dhe se ka bashkëpunim midis kryerësve politikë. Eurodeputeti Hovit potencoi se vlerësimet e tij do të bazohen në ndjekjen objektive dhe mbipartiake të gjendjeve dhe se do të insistojë të japë kontribut maksimal për përmirësimin e gjendjeve të përgjithshme në Republikën e Maqedonisë dhe mbajtjen e tempos së zhvillimit evropian në raport me vendet e tjera të rajonit”, njoftoi Kabineti i Kryetarit të Kuvendit të RM-së. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 September 2011 19:22