Lajme Shqip Monday, 14 May 2012 20:11

Tiranë – Rreth 20 persona të komunitetit LGBT nisën sot  pasdite në Tiranë aktivitetet sensibilizuese në kuadër të Dites Botërore kundër Homofobisë, në datën 17 maj.

Pjesëmarrësit LGBT nisën garën e bicikletave, duke filluar nga sheshi “Nënë Tereza” drejt bulevardit. Në nisje të garës 2 persona, identiteti i të cilëve nuk bëhet ende i ditur, kanë hedhur në drejtim të tyre dy tymuese.

Forcat e policise (rreth 30 forca policie) që po mbikqyrin këte manifestim të parin të kësaj natyre në kryeqytetin shqiptar, kanë identifikuar dhe më pas kanë shoqëruar dy “provokuesit”. “Patëm disa tentativa nga disa agresorë që nuk e përkrahën lëvizjen tonë. Por dua t’u them atyre që është vetëm fillimi. Perveç mentalitetit që ekziston në Shqipëri arritëm të sfidonim edhe motin e keq”, u shpreh aktivisti Kristi Pinderi.

Marshimi i sotëm përgjatë Bulverdit “Dëshmorët e Kombit“, me sloganin “Flije Mendjen! Disa njerëz janë Gay”, do të pasohet me aktivitete të tjera në ditët në vijim. Në njoftimin për shtyp të kësaj lëvizje theksohet se “në të gjitha eventet në kuadër të 17 Majit, ne do tregojmë se historia e LGBT nuk është vetëm ajo historia e shtypjes, e diskriminimit dhe e dehumanizimit të natyrës njerëzore, por është mbi të gjitha një histori e përjetshme dashurie”. (LajmeShqip.com)