Lajme Shqip Thursday, 21 November 2013 11:17

Tiranë- Ceremonia e homazheve për deputetin Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në një aksident tragjik në aksin rrugor në aksin Tiranë –Elbasan, do të zhvillohet sot në orën 11:00 te Kuvendi i Shqipërisë. Ndërkohë në orën 14:00 është parashikuar të zhvillohet ceremonia e përcjelljes së trupit drejt banesës së fundit.

 

Mesazhe ngushëllimi 

Mesazhe të shumta janë drejtuar familjes Olldashi, pas humbjes tragjike të deputetit demokrat, Sokol Olldashi. Mijëra qytetarë kanë ngushëlluar familjen nëpër rrjetet sociale dhe mes tyre nuk kanë munguar as miqtë dhe kolegët e ish-ministrit.

“Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç’duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!” është shprehur në “Facebook” deputetja demokrate Mesila Doda.

“U prehtë në paqe Sokol Olldashi”, është shprehur deputeti socialist Erjon Braçe.

“Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, që sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetësinë e familjes, miqve, atyre që e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërinë dhe politikën shqiptare!!! Lutjet shkojnë për shpirtin e tij, që të prehet në paqe dhe për familjen, që Zoti t’i japi forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre!!!”, Gerti Bogdani.

“Ngushëllime të sinqerta familjes Olldashi. Vlerësoj lart kontributin e deputetit Olldashi. Ndarja e parakohshme nga jeta, e Olldashit është e dhimbshme”, politikani kosovar Behgjet Pacolli.

 

Ngjarja 

 

Deputeti i PD-së, ish-ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, është shuar në një aksident tragjik. Automjeti që ai drejtonte ka dalë nga rruga dhe deputeti demokrat, 41 vjeç, nuk ka mundur të mbijetojë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 21:20 minuta të mbrëmjes së të mërkurës në rrugën Tiranë-Elbasan, pranë zonës së njohur si “Lapidari” në Qafë-Kërrabë.

Automjeti, që drejtohej nga vetë deputeti, tip “Benz”, me targë AA 003 NH, ka dalë nga rruga, duke përfunduar disa metra në një humnerë, çka ka rezultuar fatale për jetën e 41-vjeçarit.

Në kilometrin e gjashtë të  autostradës Tiranë-Elbasan,  në një kthesë të saj për shkak të terrenit të lagësht, deputeti demokrat duket se ka humbur kontrollin e mjetit.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë parë se një makinë ka dalë nga rruga dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, ndërsa janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë deputetit Sokol Olldashi.

Policia dhe autoambulancat e zjarrfikëset mbërritën në vendngjarje, por për shkak të pozicionit të makinës, terrenit të vështirë dhe shiut që binte vazhdimisht, trupi pajetë i deputetit demokrat është nxjerrë vetëm pas rreth dy orësh, pasi ndodhi aksidenti.

Burime të policisë bënë të ditur se automjeti ka pësuar disa rrotullime, madje identifikimi i viktimës është bërë nga dokumentet që mbante me vete.

 

Kuvendi shtyn seancën plenare

 

Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se seanca plenare e parashikuar për sot do të shtyhet për javën e ardhshme, për shkak të humbjes së jetës së deputetit Sokol Olldashi.

Lajmin për mediat e bën të ditur zyra e shtypit të Kuvendit./shekulli/