Lajme Shqip Tuesday, 14 January 2014 22:28

Ashtu sic pritej, konferenca e paralajmëruar për mediat, ku presidenti francez, Francois Hollande do të fliste për ekonominë e vendit, u errësua nga skandali i fundit që lidhet me jetën private të presidentit.

Skandali shpërtheu pak ditë më parë pas botimit të një artikulli në revistën “Closer” ku flitej për një lidhje intime të presidentit me aktoren Julie Gayet. Pyetjes së gazetarëve nëse Valerie Trierëeiler, partnerja e Holland, vazhdon të jetë Zonja e Parë e Francës, presidenti iu shmang, por ai pranoi se po kalon momente të vështira në jetën private.

“Problemet private zgjidhen në mënyrë private dhe nuk është as koha dhe as vendi për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla”, tha Hollande duke shtuar se nuk do të përfshihej në këtë debat në respekt të personave të përfshirë në këtë cështje.

Zhurma për lidhjen e presidentit francez, Francois Hollande me aktoren Julie Gayet sa vjen e bëhet më e madhe, madje tashmë në valle futet edhe mafia. Mediat franceze ditët e fundit flasin për një lidhje të tërthortë, ndoshta të pavullnetëshme të presidentit Holland me mafian famëkeqe korsikane. Sipas tyre, vendtakimi i presidentit 59-vjeçar me aktoren 41-vjeçare është një hotel vetëm pak metra larg pallatit presidencial.

“Le Parisien” dhe portali online “Mediapart” shkruajnë se apartamenti është marrë me qira nga Emmanuelle Hauck, një mikeshë dhe kolege e Gayet, e njohur për lidhjet e saj romantike me eksponentë të mafias korsikane, të dënuar nga drejtësia apo të ekzekutuar nga grupet rivale.

“Le Parisien” shkon më tej kur flet për një traditë të vizitave të presidentëve francezë në këtë ndërtesë, duke u zhvendosur pas në kohë deri tek ish-presidenti Jacques Chirac që e përdorte atë për takime private që duhet të mbeteshin sekret.

Pas publikimit të lajmit për lidhjen, vetë presidenti Hollande deklaroi se po shqyrton mundësinë të padisë revistën “Closer” që e botoi e para lajmin, por pa mohuar dhe as pohuar ekzistencën e lidhjes.

Megjithatë, pavarësisht skandalit popullariteti i Hollande mbetet në të njëjtat nivele minimale, duke u vërtetuar si presidenti më pak popullor që pas Luftës së Dytë Botërore. Opozita e djathtë deklaroi se “nuk komenton jetën private të presidentit, por tha se të shpenzosh kohën në të tilla aventura në një kohë të vështirë ekonomike për vendin, sigurisht që s’është një vendim i zgjuar”. /Tribuna/