Prishtinë – Prokuroria e EULEX-it ka njoftuar se e ka zgjeruar dosjen e hetimeve rreth incidenteve në veri, që nga 25 korriku deri më tani.
Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, ka thënë se janë mbledhur shumë prova që do të çojnë në ndriçimin e shumë gjërave dhe kapjen e përgjegjësve për zhvillimet e muajve të fundit në veri. Deri më tani, prokuroria e EULEX-it ka siguruar 35 dëshmitarë, të cilët do të dëshmojnë rreth incidenteve në veri të vendit, prej 25 korrikut, kur u vra një polic i Kosovës dhe u plagosën në raste të tjera dhjetra ushtarë të KFOR-it.
Burime brenda prokurorisë së EULEX-it kanë thënë se është zgjeruar, gjithashtu, edhe numri i fletëarresteve të lëshuara për serbë të përfshirë në organizmin dhe sulmin ndaj autoriteteve të rendit. Zëdhënësi i EULEX Nicholas Hawton, ka thënë se hetimet rreth gjithë incidenteve që kanë ndodhur janë duke u bërë në mënyrë intensive. Ai ka thënë se dëshmitë janë duke u mbledhur dhe dëshmitarët janë duke u intervistuar.
Por, Hawton nuk ka sqaruar rreth numrit të fletarresteve dhe personave ndaj të cilëve janë lëshuar fletarreste të reja.
EULEX ka hapur një dosje të re për veriun, pas 25 korrikut, kur aksioni i qeverisë kosovare për të marrë nën kontroll pikat kufitare në veri rezultoi me një polic kosovar të vrarë dhe më pas disa raste me ushtarë të KFOR-i të plagosur.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit ka njoftuar, gjithashtu, se hetimet rreth veriut janë në duart e katër prokurorëve ndërkombëtarë. (LajmeShqip.com)
Friday, 21 October 2011 09:54 