Lajme Shqip Sunday, 03 June 2012 15:59

Nju-Jork – Tregu ilegal, në të cilin shiten organe njerëzish, në vitet e fundit, gjatë krizës ekonomike, nga Lindja e Largët dhe Amerika Jugore  u transferua  në Evropë, ndërsa një nga vendet e prekur është Serbia, shkruan “International Herald Tribune”.

Gazeta shkruan se tregu i zi me organe njerëzore, krahas Serbisë, u transferua edhe në Greqi, Spanjë, Itali dhe Kosovë. “Njerëz të varfër dhe dëshpëruar i shesin veshkët e tyre, palcën e kockave, kornenë përmes Internetit, ndërsa tregtarët me organe njerëzore me këtë pasurohen”, shkruan gazeta njujorkeze.

Teksti fillon me tregimin e një çifti nga Kovini, të cilët përmes internetit kanë ofruar t’i shesin veshkat e tyre për rreth 30.000 euro, duke sqaruar se për këtë kanë vendosur për shkak të varfërisë. Gazeta njofton se ata jetojnë vetëm prej një shujte në ditë dhe se për këtë shkak kanë vendosur t’i shesin organet. Sipas “Herald Tribune”, ky çift  deri tani ka marrë ofertë prej një gruaje nga Maqedonia për 20.000 euro, si dhe një ofertë nga Gjermania.

Ata thonë se nuk friksohen nga operacioni as se po shkelin ligjin, por nga pamundësia se nuk do të mund të kujdesen për të dy fëmijët. Gazeta i referohet një burimi anonim nga policia serbe, i cili thotë se në 10 vitet fundit asnjë rast i tregtisë me organe në Serbi nuk është proceduar, por shton se shkak për këtë është se gjithçka zhvillohet në mënyrë shumë të fshehtë dhe sekrete.

Gazeta e citon edhe mjekun Xhoka Maksiç, i cili nuk beson se në Serbi ka tregti ilegale me organe, duke shtuar se çdo dhurues potencial është “nën kontroll” të komisionit spitalor, i përbërë prej mjekëve dhe avokatëve. Por gazeta citon edhe një person me emrin Milovan nga një vend në jug të Serbisë, i cili thotë se veshkën ia ka dhënë një politikani lokal dhe për këmbim ai e ka punësuar në firmën e tij. Gazeta shkruan se transplantimi i veshkëve është kryer në një spital shtetëror në Beograd, ku ata të dy janë prezantuar me emra të rrejshëm.

Vlerësohet se çmimi i veshkave në tregun e zi arrin rreth 100.000 euro dhe se në nivel botëror në vit shiten mes 15 dhe 20 mijë organe. (LajmeShqip.com)