Lajme Shqip Monday, 21 January 2013 13:23

Lugina e Presheves – (E plotësuar) Mijëra qytetarë janë mbledhur në vendin ku më parë ngrihej Lapidari i Dëshmorëve duke zhvilluar homazhe, por edhe protestuar paqësisht ndaj heqjes së padrejtë të monumentit mëngjesin e së dielës nga policia serbe.

Në protestë po marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e partive politike dhe kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit, familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të UÇPMB-së.

Sipas korrespondentit të Top Channel në zonë nuk ka prani të madhe të forcave policore, ndërkohë pritet që liderët politikë shqiptarë të dalin me një deklaratë dhe mesa duket reagimi i tyre do të jetë i matur.

Sot protestë gjithëpopullore në Preshevë

Sot në ora 12:00 do të organizohet protestë gjithë-popullore në Luginën e Preshevës, si reagim ndaj heqjes së dhunshme të lapidarit më emrat e dëshmorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, të rënë gjatë luftës së UÇPMB-së, nga xhandarmëria serbe.

Pas takimit të djeshëm, liderëve e partive politike të Luginës së Preshevës, gjatë një konference të përbashkët kanë konstatuar se gjendjen politike dhe ajo e sigurisë në Luginë, pas heqjes së lapidarit, është tejet e rëndë.

Ata kanë bërë apel tek qytetarët për qetësi dhe qëndrim në shtëpitë e tyre.

Kryetari Mustafa ka thënë se xhandarmëria nuk përfilli as shqiptarët e as palën ndërkombëtare.

Na nxojnë në gjumë

Xhandarmëria e Serbisë e hoqi me lehtësi të dielën në mëngjes lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB’së. Në kohën kur forcat serbe po kryenin operacionin, shqiptarët ishin duke fjetur. Udhëheqësit e Luginës paralajmëruan protestë ndaj veprimeve të Beogradit, ndërsa autoritetet e Prishtinës dhe Tiranës u shfaqën të sertë në deklarata.

Një numër i madh i pjesëtarëve të Xhandarmërisë së Serbisë të armatosur rëndë e kanë hequr të dielën në mëngjes lapidarin e dëshmorëve të luftës së UÇPMB’së, që ishte vendosur vitin e kaluar përballë objektit të Komunës së Preshevës.

Kjo njësi elite e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë e ka kryer aksionin pa ndonjë incident mbase edhe për faktin se gjithçka është zhvilluar në kohën kur banorët shqiptarë të Preshevës kanë qenë duke fjetur.

Sipas njoftimeve nga vendi i ngjarjes afro 150 pjesëtarë të xhandarmërisë, pak para orës 7 të mëngjesit, e kanë rrethuar sheshin në qendër të qytetit e kanë ngarkuar përmendoren në kamion e më pas e kanë larguar nga Presheva, duke e përcjellë me autoblinda dhe mjete të tjera të motorizuara të policisë.

Heqja e përmendores është bërë pas ultimatumeve që autoritetet e Serbisë u kishin dhënë udhëheqësve shqiptarë të Preshevës, por këta të fundit ishin zotuar se nuk do të lejojnë një gjë të tillë.

Zyrtarë të Bashkimit Europian dhe misionet diplomatike kryesore në Beograd këtë çështje e kanë konsideruar si problem të brendshëm të Serbisë, që duhet zgjidhur me mjete demokratike dhe në kuadër të ligjit.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, e ka arsyetuar operacioni menjëherë pasi ka përfunduar.

Dacic ka thënë se gjithçka është ndërmarrë me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë dhe pas skadimit të afateve ligjore.

“Serbia ka treguar durim të mjaftueshëm, por ajo i dërgoi një mesazh të qartë dhe të fortë se ligji duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë se shteti”, ka thënë Dacic.

Reagimet e faktorit politik shqiptar kanë ardhur pas një takimi të jashtëzakonshëm që është mbajtur në Preshevë.

Ata kanë paralajmëruar protestë gjithëpopullore të hënën në orën 12.00 derisa kanë bërë thirrje për qetësi dhe për ruajtjen e “gjakftohtësisë nga popullata shqiptare e këtij rajoni”.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili kishte paralajmëruar edhe dorëheqjen nga posti, ka theksuar se janë shkëputur kontaktet me autoritetet qendrore serbe pas aktit vandal të heqjes së lapidarit.

Në konferencën për medie udhëheqësit e Luginës së Preshevës kanë kërkuar që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet edhe në Bruksel në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, është shprehur se qëndrimi i përbashkët i të gjithë liderëve politikë është realizimi i të drejtave legjitime individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ndërkohë qytetarët e Preshevës kanë bërë homazhe në vendin ku ka qenë i vendosur lapidari.

Ndaj heqjes së lapidarit kanë reaguar edhe krerët e institucioneve në Prishtinë dhe Tiranë.

Qeveria e Kosovës përmes një deklarate për medie ka njoftuar se veprimi i autoriteteve të Serbisë tregon për urrejtjen që ata kanë ndaj shqiptarëve në Luginë.

“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë, dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Milosevicit”, thuhet në deklaratë.

Ekzekutivi kosovar ka paralajmëruar edhe për pasojat në procesin e bisedimeve Prishtinë – Beograd.

“Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”, thuhet në reagim.

Një deklaratë kundër heqjes së lapidarit e ka bërë edhe Presidenca e Kosovës.

“Heqja e përmendores nuk është në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur nëpërmjet institucioneve të kuvendeve komunale, që janë institucione legjitime dhe legale. Kjo tregon mungesën e gatishmërisë që nëpërmjet dialogut të gjendet zgjidhja si një mekanizëm tashmë i dëshmuar demokratik”, thuhet në reagimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë po ashtu ka bërë një deklaratë kundër heqjes së monumentit.

“Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitraloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar, kundër regjimit barabar të Milosevicit. Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që dëshmon qartë se trashëgimia raciste antishqiptare e Slobodan Milosevicit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit”.

Në reagim thuhet se Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb.

“Shqipëria ka mbështetur dhe do të mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut”.(G.E/LajmeShqip.com)