Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 12:15

“Heqja e taksës doganore për mallrat e Kosovës që eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian do të ndikojë pozitivisht në thellimin e stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik,” thuhet në një deklaratë të Komisionit Evropian.

Heqja e taksës doganore vlen jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit dhe do të jetë në fuqi deri në vitin 2015. Ky privilegj tregtar është i mirëpritur veçmas për Kosovën, e cila ishte lënë jashtë kësaj marrëveshje me 31 dhjetor të vitit 2010, prandaj sipas Komisionit Evropian, përfshirja e Kosovës në këtë marrëveshje do t’i sjellë asaj përfitime të konsiderueshme sidomos për mallrat dhe prodhimet vendore. Ndër sektorët që do të përfitojnë më shumë është bujqësia, përkatësisht prodhimtaria e verës dhe prodhimeve të rrushit në përgjithësi. Gjatë vitit 2010, sipas Komisionit Evropian, Kosova ka eksportuar në vendet anëtare të BE-së mallra me vlerë 147 milion euro.