Prishtinë – Albin Kurti po përpiqet të përçajë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë e ka thënë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, të enjten në Kuvendin e Kosovës, duke e konsideruar si të panevojshëm vazhdimin e grevës së disa veteranëve të luftës.
Haxhiu ka thënë se greva e ka arritur efektin dhe Ligji për vlerat e luftës do të vijë së shpejti në Kuvend, duke shtuar se “tani greva po politizohet”.
Sipas tij, politizimi i grevës ka nisur me vizitën e deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, tek veteranët grevistë.
Haxhiu ka thënë se Kurti gjatë kësaj vizite ka folur para ish-ushtarëve të UÇK-së se kush është më patriot e kush jo.
“Para ish luftëtarëve të UÇK-së Albin Kurti foli për atë se kush është patriot e kush jo. Dhe atë pikërisht në mes të Prishtinës, në mesin e atyre të cilëve kishte refuzuar t’iu bashkohej dikur. Tani ai tenton t’i përçajë dhe të dalë si shpëtimtar i tyre. Kot e ka, se nuk mund të hyjë mes mishit e thoit”, ka thënë Haxhiu.
Ai ka thënë se prej që PDK-ja ka ardhur në pushtet, janë ngritur të ardhurat për kategoritë e luftës.
Haxhiu ka kritikuar edhe tendencën e një pjese të opozitës pa të krijuar përshtypjen se Kosova po bankroton dhe po falimenton, duke thënë se në mungesë të opcioneve për zgjidhjen e problemeve, opozita përpiqet që përmes tendencës së ngritjes së frikës së qytetarëve, të arrijë efektin e saj politik.
“Një tjetër tendencë, është ajo e përshtypjes se ne po bankrotojmë, ne do të falimentojmë. Por, kjo vjen nga opozita, e cila nuk ka pasur opcione për zgjidhjen e problemeve, por veç tendencën e ngritjes së frikës për qytetarët”.
Thursday, 16 June 2011 13:55