Lajme Shqip Thursday, 31 May 2012 08:00

Tiranë -Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti në takim Ambasadorin e Shtetit të Izraelit në Republikën e Shqipërisë, z. David Cohen, i cili shoqërohej nga zv/drejtorja e Përgjithshme për Euro-Azinë dhe Ballkanin pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, znj. Anna Azari.

Ambasadori Cohen i konfirmoi ministrit Haxhinasto hapjen e Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë në të ardhmen e afërt.

Ministri Haxhinasto tha se ky vendim është shprehje e qartë e klimës pozitive që është vendosur në marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve dhe do t’i shërbejë thellimit të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, veçanërisht në fusha si ekonomia, bujqësia, turizmi dhe arsimi.

Bashkëbiseduesit në takim ndanë gjithashtu opinione për çështje të lidhura me rajonin dhe bashkëpunimin multilateral ndërmjet vendeve tona në kuadrin e organizatave ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)