Tiranë – Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti sot, artistin e mirënjohur Kledi Kadiu, një shqiptar i suksesshëm dhe përfaqësues me reputacion në komunitetin shqiptar në Itali.
Në këtë takim, Haxhinasto shprehu vlerësimin më të lartë për kontributin e Kadiut në përfaqësimin e vlerave më të mira të shkollës dhe kulturës shqiptare në Itali.
Ai e uroi Kledi Kadiun për projektin e suksesshëm me televizionin italian Rai 5, ku është realizuar mes të tjerave edhe një paraqitje realiste dhe promovuese për stadin e sotëm të zhvillimit të Shqipërisë e kulturës së saj.
Haxhinasto shprehu gatishmërinë për të mbështetur projektet e reja që Kledi Kadiu do të ketë në funksion të promovimit të kulturës dhe imazhit të Shqipërisë në botë.
Në takim u diskutua gjithashtu për organizimin e emigracionit shqiptar, me qëllim integrimin e tyre sa më të mirë në shoqërinë italiane si dhe për ruajtjen e lidhjeve të forta me gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Friday, 23 December 2011 19:30