Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u shpreh sot në një bashkëbisedim me gazetarët, pas vizitës së tij në New York, se delegacioni shqiptar i arriti objektivat që synonte në këtë vizitë.
“Objektivat që synonim i arritëm”, tha Haxhinasto, i cili shtoi se promovimi i interesave ekonomike të Shqipërisë, tërheqja drejt Shqipërisë e investitorëve të huaj, forcimi i bashkëpunimit rajonal si dhe lobimi për rritjen e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, ishin objektivat kryesorë në këtë vizitë.
“Një pikë e diskutimit ka qenë ekonomia, ku është diskutuar për rritjen e marrëdhënie mes vendeve respektive dhe shtimin e shkëmbimeve tregtare. Një pikë tjetër e diskutimeve ka qenë edhe Kosova”, tha Haxhinasto.
Ai foli edhe për çështjen kryesore të trajtuar në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, çështjen e Palestinës, ku deklaroi se Shqipëria e njeh Palestinën si shtet.
Duke folur për procesin e integrimit, Haxhinasto tha se pakti prej 10 pikash, i propozuar nga PS, nuk i shërben integrimit.
“Maxhoranca e ka procesin e integrimit prioritet, por pa bërë asnjë koncesion përsa i përket parimeve demokratike, thelbit të reformave që janë paraqitur para shqiptareve për rrugën drejt Bashkimit Europian”, deklaroi Haxhinasto.
Sipas tij, pakti i opozitës nuk është një përqasje që i shërben integrimit, por interesave partiake të opozitës.
“Paktin e opozitës unë e shikoj në dy aspekte, ku e para është pozitive, pasi edhe pse është një veprim shumë i vonuar, është një angazhim konkret dhe e dyta, është pesimiste, pasi hapat që duhen ndërmarrë janë shumë të qarta dhe ato janë vendosur përpara Shqipërisë”, theksoi Haxhinasto.
Friday, 30 September 2011 11:45