Tiranë-“Njohjet e reja të Kosovës mbeten sfidë e politikës së jashtme të Shqipërisë”. Kështu ka deklaruar ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto gjatë një interviste ku bëri bilancin e arritjeve të diplomacisë shqiptare dhe sfidave përpara saj.
“Përfshirja e saj në iniciativat rajonale, dhe ecja më tej e integrimit euro-atlantik janë gjithashtu një objektiv madhor”, theksoi Haxhinasto.
Ministri ka përshëndetur vendimin e BE-së për udhërrëfyesin për vizat për qytetarët e Kosovës duke kërkuar edhe një marrëdhënie kontraktuale të saj me BE.
“Sukses do të quaja marrëveshjen për realizimin e shërbimeve konsullore të përbashkëta që do të sjellë shërbime në rajone gjeografike të reja për qytetarët e Kosovës”, thekson Haxhinasto.
Sipas ministrit, “kërkesë e vazhdueshme mbetet njohja e diplomave të shqiptarëve në Preshevë, gjë që do të sjellë integrimin e tyre real në strukturat administrative të vendit atje.
“Mbështetja për njohjet e reja të Kosovës dhe rritja e rolit të Shqipërisë në organizatat dhe forumet ndërkombëtare ka kërkuar domosdoshmërisht rivitalizimin e marrëdhënieve dypalëshe me gjithë shtetet e botës, veçanërisht, ato në periferi të veprimit tonë diplomatik, duke filluar nga plotësimi i bazës ligjore të bashkëpunimit. Për periudhën shtator 2010 – tetor 2011 janë nënshkruar rreth 100 akte dy dhe shumëpalëshe për forcimin e bashkëpunimit politik, veçanërisht, dimensionin ekonomik të këtij bashkëpunimi, dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”, shprehet Haxhinasto.
Sipas tij rajoni mbetet një prioritet madhor i cili tashmë ka specifikat e veta dhe se integrimi ekonomik me Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit përbën një risi.
“Infrastruktura e përbashkët, funksionimi i plotë i CEFTA-s, koordinimi për çështjet e rrugëve të energjisë, lëvizja pa pasaporta në gjithë rajonin përbëjnë objektiva të reja të punës sonë diplomatike. Me rëndësi është paraqitja e rajonit në proceset e tij integruese, si një treg 20 milionësh dhe me imazh të përmirësuar”, vijon zv/kryeministri.
Ndërkohë, sipas tij, diplomacia ekonomike, qëndron si një pjesë e rëndësishme e strukturës dypalëshe të bashkëpunimit ekonomik midis vendeve. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 January 2012 14:36