Tiranë – Institucionet dhe drejtuesit kosovarë duhet të bashkëpunojnë për t’i sjellë dy komunitete, serb dhe shqiptarë, më pranë njëri tjetrit me qëllim që të përballohen sfida për një vizion të ri për të ardhmen, që është integrimin europian”, deklaroi sot zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Emond Haxhinasto.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zv.kryeministrin dhe ministrin i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sllobodan Petroviç, kreu i diplomacisë shqiptare tha se, “Shqipëria mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si një proces i cili do të sjellë një ritëm të ri në integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian”.
Haxhinasto shprehu bindjen se, dialogu për cështjet tekinike dhe praktike mes dy shteteve do të sjellë ndryshime të jetës së dy komuniteteve dhe një ritëm të ri të procesit të integrimit të Kosovës në BE.
“Proceset integruese janë të domosdoshme të mirëkuptohen nga Serbia”, tha Haxhinasto, ndërsa nënvizoi se “është e domosdoshme që Kosova të përpunojë hartën e rrugës e cila do ta çojë drejt liberalizimit të vizave”.
“Procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe integrimi i saj në BE janë të pandalshme dhe se deklaratat për një ndarje të Kosovës janë teori të dështuara”, përfundoi ministri i Jashtëm.
Zv.kryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, Sllobodan Petroviç, që përfaqëson minoritetin serb, falenderoi për mbështetjen e Shqipërisë në ecjen para të Kosovës.
“Është tepër e rëndësisme që të kthejmë një faqe të re në jetën tonë dhe të krijojmë një histori të re duke bashkëpunuar për një standart më të mirë për dy komunitete tona”, tha Petroviç.
“Ndarja, apo shkëmbimi i territoreve në Kosovë, për ne ndahet në sukses dhe mossukses. Ne duam të jemi pjesë e BE-së. Duam të punojnë në këtë drejtim. Asnjë nga këto ide nuk ka marrë mbështetjen e Brukselit, apo Washingtonit, e për pasojë, jemi kundër”, përfundoi zv.kryeministri kosovar.
Thursday, 26 May 2011 16:01