Tiranë – Zëvendëskryetar i LSI-së dhe njëkohësisht zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, theksoi sot në një konferencë për shtyp domosdoshmërinë e arritjes së një Pakti Kombëtar për t’i dhënë një cilësi dhe shpejtësi të re procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Ne vlerësojmë se ky Pakt, në formën e një marrëveshjeje të shkruar politike ose të një ligji, duhet realizuar sa më parë, me qëllim që BE dhe partnerët tanë evropianë të marrin një mesazh të qartë se angazhimi i partive politike, në mënyrë të veçantë i opozitës, nuk është lëvizje taktike, por është i vërtetë dhe jep rezultate konkrete”, u shpreh Haxhinasto.
Ai tha se LSI përshëndet hapat e parë për fillimin e reformës zgjedhore, si një proces transparent e gjithpërfshires, që realizohet në bashkëpunim me OSBE/ODIHR dhe Komisionin e Venecias, e që trajton rekomandimet e dhëna deri më tani për zgjedhjet në Shqipëri.
Sipas tij, është gjithashtu shumë e rëndësishme të mblidhet sa më parë Tryeza e Integrimit, për të adoptuar dhe zbatuar Planin kombëtar për Integrimin Evropian, që përmban veprimet dhe ligjet që duhen miratuar në mënyrë prioritare.
“Mesazhet nga BE, nga vendet partnere, ashtu siç u bë e qartë edhe nga dy ministrat e jashtëm, Fratini e Lambrinidis, pak ditë më parë, theksojnë se nevoja e arritjes së një Pakti për Evropën është themelore për një vlerësim pozitiv në Opinionin e BE për Shqipërinë në tetor të këtij viti”, përfundoi Haxhinasto.
Saturday, 17 September 2011 17:20