Lajme Shqip Friday, 30 September 2011 20:18

Tiranë – Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, u takua sot me një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i këtij Komisioni, Albin Kurti.

Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, gjatë takimit Haxhinasto theksoi rëndësinë e proceseve integruese Shqipëri-Kosovë, duke nënvizuar aspektin ekonomik si pjesë e integrimit rajonal. Kjo, theksoi ai, do të jetë edhe rruga e vetme që do të bashkojë shqiptarët të gjithë së bashku në BE.

Intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy vendeve tona për shtimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe pjesëmarrjes së saj në forumet rajonale, zuri gjithashtu një vend të rëndësishëm në takim.

Haxhinasto informoi deputetët e Kosovës për lobimin e zhvilluar nga delegacioni shqiptar, në takimet e zhvilluara gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, për shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Në këto takime është theksuar ligjshmëria e procesit ndërkombëtar nëpër të cilën ka kaluar shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke nënvizuar se ajo është shndërruar tashmë në faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Gjithashtu është parashtruar argumenti se pavarësia e Kosovës nuk ishte një veprim i njëanshëm i saj, por u realizua në koordinim dhe drejtim të plotë nga komuniteti ndërkombëtar.

Në takim u vlerësua se integrimi ekonomik në kuadër të integrimit rajonal, përbën një potencial të fuqishëm për tërheqjen e investimeve në të dy vendet tona dhe për të gjithë rajonin, sepse Shqipëria është porta hyrëse drejt vendeve të tjera të Ballkanit.