Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 16:40

Tiranë – “Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë është që Kosova të jetë sa më parë anëtare e Këshillit të Europës”, tha sot zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thobjorn Jagland, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Haxhinasto tha se “gjatë presidencës shqiptare të KiE-së do të kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë mes Kosovës dhe KiE-së, me qëllim që shoqëria kosovare të përqafojë në mënyrën më të konsoliduar vlerat e rëndësishme të Këshillit të Europës për bashkëjetesën dhe respektin ndaj minoriteteve”.

“Gjithashtu me synojmë që të krijohet edhe një mundësi konkrete që institucionet në Kosovë të forcohen, duke pasur parasysh standardet dhe parimet më të larta demokratike që ka KiE”, tha ai. Zyrtari i lartë i KiE-së, Jagland ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, një ditë pasi Shqipëria mori zyrtarisht presidencën e Këshillit të Europës. Ai do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të vendit. (LajmeShqip.com)