Meksico City- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, zhvilloi një vizitë zyrtare në Meksikë, ku pati takime me Ministren e Jashtme të Meksikës, Patricia Espinosa, Kryetarin e Dhomës së Senatorëve, Senatorin Jose Gonzalez Morfin, si dhe me përfaqësues të biznesit meksikan.
Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, gjatë takimit me ministren e Jashtme të Meksikës, u nënshkrua edhe Marrëveshja e Bashkëpunimit midis dy Ministrive të Jashtme, si dhe Memorandumi i Mirëkuptimit midis Akademive Diplomatike.
Haxhinasto kërkoi që nënshkrimi i këtyre dy protokolleve të pasohet me ndërmarrjen e hapave konkretë, si dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja për heqjen e vizave për qytetarët e dy vendeve dhe heqjen e taksimit të dyfishtë.
Ata gjithashtu diskutuan për krijimin e mekanizmave të bashkëpunimit akademik dhe kulturor, mundësinë e bursave të studimit nga të dy vendet si dhe për marrjen e hapave konkretë për hartimin e Programit të Bashkëpunimit Arsimor, Kulturor dhe Sportiv për periudhën 2011-2014.
Gjatë vizitës në Meksikë, Haxhinasto pati një takim edhe me Kryetarin e Dhomës së Senatorëve, Senatorin Jose Gonzalez Morfin, i cili theksoi nevojën e institucionalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve nëpërmjet mekanizmave të diplomacisë parlamentare.
Vizita zyrtare e Haxhinastos në Meksikë u mbyll me një takim me përfaqësues të biznesit meksikan, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të “Promexico” dhe Këshillit meksikan për Tregtinë me Jashtë (COMCE), si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Ministri Haxhinasto, pas një prezantimi të klimës favorizuese për investimet e huaja në Shqipëri dhe masave të ndërmarra nga ana e Qeverisë për tërheqjen e investimeve direkte të huaja, ftoi biznesin meksikan që të investojë në Shqipëri.
“Shqipëria ofron mundësi në energji, infrastrukturë rrugore dhe atë hekurudhore, burime minerare, etj., por duhet të kihet parasysh që Shqipëria është pjesë e rëndësishme e tregut ballkanik”, tha ai.
Pjesëmarrësit në takim treguan interes të veçantë për hidrocentralet dhe ndërtimin e gazsjellësve, si dhe shprehën gatishmërinë për të organizuar një forum të përbashkët biznesi, Shqipëri-Meksikë. Të pranishmit theksuan nevojën e shkëmbimit të informacionit mbi mundësitë e investimeve në dy vendet.
Tuesday, 27 September 2011 12:53