Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 15:42

Tiranë – Revista prestigjioze franceze “La Lettre DIPLOMATIQUE” e hap numrin e saj më të ri me një cikël shkrimesh kushtuar zhvillimeve dhe arritjeve të gjithanshme të vendit tonë, por një vend të veçantë në këto shkrime zë intervista me zv. kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, “Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit Euro – Atlantik”.

Zyra shtypit e MPJ-së bëri të ditur se në këtë intervistë, kreu i diplomacisë shqiptare flet për arritjet me rëndësi historike të viteve të fundit si, anëtarësimi në NATO, udhëtimi pa viza i qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen dhe përpjekjet e vendit tonë drejt anëtarësimit në BE.

Lidhur me liberalizimin e vizave, zv. kryeministri vë në në dukje se ecuria e procesit është vlerësuar nga institucionet e BE-së. Në fushën e reformave ekonomike, duke iu referuar burimeve të specializuara ndërkombëtare, ministri Haxhinasto thekson se ekonomia shqiptare ka dinamikën më të shpejtë të rritjes në Evropë, ndërsa përmend më tej masat e shumta për përmirësimin e klimës së biznesit, reformat fiskale etj.

Zv. Kryeministri ndalet edhe në nxitjen e politikës rajonale të fqinjësisë së mirë nga ana e Shqipërisë, si një faktor i rëndësishëm që përshpejton edhe integrimin evropian.

Në këtë kuadër, Haxhinasto veçon rëndësinë e pavarësisë së Kosovës, sfidat, efektet e saj pozitive dhe forcimin e bashkëpunimit me shtetin e ri të Kosovës, në të mirë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.