Tiranë – Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore nuk arriti sot të gjejë konsensus lidhur me procedurën e hapjes së kutive të votimit.
Në një prononcim për mediat, Oerd Bylykbashi, ekspert i çështjeve zgjedhore në Partinë Demokratike, tha se ishte rënë dakord që materiali zgjedhor të mos hapet në qendrën e numërimit, vetëm në rastet kur ka mangësi dokumenti.
“Ramë dakord që materiali zgjedhor të mos numërohej ose të mos hapej në qendrën e numërimit, veç rasteve kur konstatohen mangësi dokumentare, ndërkohë që materiali zgjedhor do të hapet në KQZ vetëm kur do të ketë ankim dhe kur materiali zgjedhor përmban provat që kërkohen”, bëri të ditur Bylykbashi.
Sipas tij, në rastin kur administrimi i provave, sipas kodit, bëhet në kuti, vetëm atëhere mund të kërkohet që të hapet kutia.
Ai sqaroi situatën e sotme në komisionin e reformës duke theksuar se “nuk ka një konsensus të tërhequr, por ka vetëm një formulim, i cili në mënyrë jo të rregullt e vë në dyshim jo vetëm konsensusin, por mbi të gjitha procesin e rregullt ankimor, i cili do destabilizohej maksimalisht nëse miratohej siç e propozon Partia Socialiste”. Në mbledhjen e sotme komisioni i reformës zgjedhore miratoi gjithashtu dhe 30 nene përsa i përket numërimit elektronik të votave. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 May 2012 14:11