Lajme Shqip Tuesday, 06 March 2012 21:00

Prishtinë- Është shpallur sot ftesa për oferta për Ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Oferta do të jetë e hapur deri më 30 shtator, kurse fillimi i ndërtimit të dy njësive të reja gjeneruese me kapacitet nga 300 megavat, pritet të ndodhë vitin e ardhshëm.

Ministri i zhvillimit ekonomik Besim Becaj, në takimin e Komitetit Drejtues të projektit “Tc Kosova e Re” tha se edhe qeveria do të ketë aksione në këtë projekt.

“Diku rreth 49% Kosova do të jetë aksionere në miniera, në mihje, ndërsa rreth 31 % si pozitë startuese e negocimit me investitorët, do të jetë në gjenerim.”

Ministri Becaj njëherit potencoi se çmimi i linjitit do të llogaritet 3 euro për ton, edhe pse sot çmimi i tregut është vetëm 26 cent.

Ministri thotë se interesimi i 4 kompanive të kualifikuara, mbetet në nivel, megjithë krizën ndërkombëtare ekonomike.

Projekti parasheh edhe ruajtjen e ambientit dhe të shëndetit.  Projekti parasheh ndërtimin e potencialeve të reja energjetike, me kapacitet 2 herë nga 300 megavat dhe pritet të përfundojë në vitin 2017. Konform strukturës së transaksionit, Kosova B është pjesë e kësaj pakoje. (LajmeShqip.com)