Lajme Shqip Saturday, 24 December 2011 08:30

Tiranë-Ministria e Drejtësisë ka përfunduar inspektimin mbi rastin e Konstandin Xhuvanit, që u dënua me dy vjet burg për vrasjen e Alfred Musabelliut.

Në raport, ministri Halimi ka theksuar se “dënimi vetëm me 2 vjet burg është i papranueshëm, pasi të gjithë shtetasit janë të barabartë para ligjit”.

Raporti i është dërguar presidentit Topi dhe kryeprokurores Rama, nga të cilët Halimi kërkon që të ushtrojnë kompetencat e tyre, edhe pse e di që nuk mund të ndryshojnë vendimin.

“Ministri i ka kërkuar Presidentit të Republikës dhe Prokurores së Përgjithshme që në baze të nenit 149 të Kushtetutes,  të ushtrojnë kompetencave të tyre për inicimin e procedimit disiplinor  për Prokurorin e çështjes konkrete dhe drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës. Në letrën e tij, Ministri i Drejtësisë, thekson se siguria publike dhe jeta e qytetarëve janë absolutisht parimet më të rëndësishme të cilat duhet të sigurojnë sundimin e ligjit në vend. Barazia e njëjtë para ligjit per te gjitha subjektet, dhe ndjekja e se njejtes politike penale, janë parime fondamentale te parashikuara shprehimisht si themele te Kushtetutës”-thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë. 

Sipas kësaj deklarate “Ministri i Drejtësisë mban në konsideratë faktin që kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës ndonëse nuk mund të ndikojnë në ndryshimin e vendimeve të dhëna nga sistemi i drejtësisë janë me rëndësi të jashtëzakonshme, parësore dhe me autoritetin e mjaftueshëm për të vënë përpara përgjegjësisë prokurorët që abuzojnë me ligjin në masë të tillë që godasin në mënyrë agresive dhe të drejtpërdrejtë sigurinë publike të qytetarëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

Konstandin Xhuvani është djali i regjizorit Gjergj Xhuvani dhe aktores Luiza Xhuvani, e cila është njëkohësisht edhe deputete e PS-së.

 Reagon Prokuroria e Përgjithshme: Halimi po bën presion

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar pas deklaratës së Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi në lidhje me inspektimin për ccështjen e Konstandin Xhuvanit, i dënuar me dy vite burg për vrasje. Prokuroria thotë se kjo deklaratë është presion ndaj gjykatës pasi ccështja është në gjykim.

“Deklarata e Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, është një ndërhyrje e rëndë në funksionimin dhe pavaresine e sistemit të drejtësisë dhe në rastin konkret, presion i hapur ndaj gjykatës dhe prokurorisë, në kushtet kur një çështje është ende në gjykim.  Çështja ndaj shtetasit Kostandin Xhuvani është ende në gjykim, pasi është në pritje për tu shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, ndaj është e pashpjegueshme që një titullar politik të ndërhyjë e të deklarohet pa u ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit. Ministri i Drejtësisë nuk është pjesë e gjykimit dhe për vendimin e një gjykate mund të shprehet vetëm një gjykatë e shkallës më të lartë,” thuhet në deklaratën e prokurorisë.

Organi i akuzës pretendon se letra e Halimit është e përgjithshme dhe e pa mbështetur në dispozitat konkrete. Por megjithatë prokuroria thotë se është gjykata ajo që vendos për llojin e masën e dënimit.

“Në deklaratë atakohet organi i prokurorisë për mos respektimin e parimeve të drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal, dhe kjo bëhet me fjalë të përgjithshme dhe jo duke marrë parasysh dispozitat konkrete të veprës penale dhe marzhin e dënimit që parashikohet për këto vepra, të cilat duke u analizuar me rrethanat e tjera që ndikojnë llojin dhe masën e dënimit, përcaktojnë dhe politikën e dënimit”-thuhet në njoftim.

“Sidoqoftë, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, duhet të kujtojmë si opinionit publik ashtu edhe Ministrit të Drejtësisë, se i vetmi institucion kushtetues i cili kualifikon veprën penale për të cilën duhet të deklarohet fajtor, llojin dhe masën e dënimit të përshtatshme, është vetëm Gjykata. Kompetencën për drejtësinë e këtij vendimi apo fuqinë për ta ndryshuar atë e ka vetëm një gjykatë më e lartë, por kurrsesi një organ ekzekutiv”-përfundon njoftimi i prokurorisë.