Lajme Shqip Tuesday, 13 September 2011 17:56

Tiranë – Guvernatori Zhou Xiaochuan, i pari drejtues i Bankës Qendrore kineze që viziton Shqipërinë, tha se sektori financiar kinez duhet të vlerësojë potencialet e zhvillimit të biznesit që ofron Shqipëria. Guvernatori i Bankës Qendrore kineze i bëri këto deklarata pas takimit me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

“Në Evropë, Kina dëshiron të punojë së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Europiane të Investimeve për të realizuar projekte që mund të jenë të rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin tonë dypalësh. Në një kohë kur tregjet financiare botërore nuk janë shumë të stabilizuara, mes ekonomive në tranzicion ekziston mundësia e forcimit të bashkëpunimit për zbutjen e vështirësive në këto tregje. Do të doja të inkurajoja shumë sektorin financiar kinez për potencialin e zhvillimit në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit , duke parë mundësitë e pjesëmarrjes në projekte infrastrukturore, si dhe në sektorin e prodhimit apo atë të bujqësisë,” tha Zhou.

Pas krizës së rëndë të boxheve që ka përfshirë disa ekonomi të Eurozonës, Kina po shihet si një kontribuesit kryesorë për të dalë nga kjo situatë. Përveçse duke blerë bono të vendeve të Eurozonës, kontributi kinez mund të shtrihet në blerjen direkte të aseteve që do të nxirren për privatizim nga vendet në vështirësi, si Greqia, çka do ta rriste praninë ekonomike kineze edhe në Rajonin e Ballkanit. (LajmeShqip.com)