Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 17:32

Tiranë – Statistikat zyrtare konfirmojnë një ecuri në rënie të kreditimit të biznesit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për 8-mujorin e këtij viti, kredia e re për biznesin kishte vlerën e 144 miliardë lekëve, me një rënie prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm për muajin Gusht, kredia për biznesin ishte 11% më e ulët krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2010. Kreditimi më i pakët dëshmon edhe njëherë ecurinë apatike të sipërmarrjes, që në marrëdhënie me sistemin bankar, manifestohen me kërkesë në rënie për kredi dhe me një nivel të lartë të kredive me probleme.

Pothuajse të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë këtë vit kanë marrë më pak kredi të reja se në vitin 2010. Tregtia, sektori më i kredituar i ekonomisë me rreth 40% të totalit, për tetë muajt e parë të vitit ka marrë 57.2 miliardë lekë kredi, me një rënie 3.3% krahasuar me një vit më parë. Industria përpunuese, sektori i dytë më i madh për nga vlera e kredive të reja, duket se po e përballon më mirë ngadalësimin ekonomik. Ky sektor për 8-mujorin ka përfituar 21.4 miliardë lekë kredi, pothuajse në të njëjtën vlerë me një vit më parë.

Më pak kredi të reja ka marrë sektori i ndërtimit, çka dëshmon edhe njëherë vështirësitë e këtij sektori dhe rënien e kontributetit të tij në ekonomi. Në tetë muaj, bizneset e ndërtimit kanë marrë 14% më pak kredi se një vit më parë. Për t’u përmendur rënia me 38% kredive në sektorin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë. Ky mund të jetë një tregues i ngadalësimit të ritmit të investimit në koncesione, një biznes shumë aktiv në vitet e fundit.

Disa sinjale pozitive vijnë nga bujqësia që për 8-mujorin e ka rritur kreditimin me 39%. Megjithatë, ky sektor mjaft i rëndësishëm në ekonominë e vendit vazhdon të zërë një peshë të papërfillshme në portofolin e kredive të reja të sistemit bankar, me më pak se 2% të totalit. (LajmeShqip.com)