Tiranë – “Ftova Berishën e Topallin, por s’më erdhën. Jozefina më tha se e kishte axhendën e ngjeshur. Qëkur vdiq Pjetri nuk na kanë shkelur më në shtëpi”. Kështu tha bashkëshortja e ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Pjetër Arbnorit, në 5-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Pjetër Arbnori është dekoruar pas vdekjes me urdhrin “Nderi i Kombit”, por, në të njëjtën ditë speciale, është harruar po nga politikanët e këtij kombi që e ka për nder. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Presidencë nuk ka qenë asnjë përfaqësues nga Parlamenti shqiptar, institucioni që ai drejtoi për pesë vjet, nga viti 1992 deri më 1997-n.
Vetë kryeparlamentarja demokrate, Jozefina Topalli, kishte paralajmëruar mungesën e saj, duke nxjerrë si shkak axhendën e ngjeshur, megjithatë, ishte treguar aq e sjellshme sa t’ua thoshte këtë vetë familjarëve me telefon.
E njëjta axhendë duket se ka penguar edhe Kryeministrin Sali Berisha, i cili, nëpërmjet sekretares së tij, e ka njoftuar familjen Arbnori se ndodhet në Tropojë. Si bashkëthemelues i PD-së, duket se Pjetër Arbnori është një figurë “e lënë pas dore” nga ajo histori, ashtu si dhe nga vizitat e demokratëve në shtëpinë pranë stadiumit “Dinamo”, apo festat përkujtimore për nderin e tij.
“Qëkur vdiq Pjetri nuk na kanë shkelur më në shtëpi. Për ceremoninë e dekorimit ftova vetëm miqtë e vërtetë, ata me të cilët vuajti në burgje”, ka thënë bashkëshortja e tij, Suzana për gazetën Panorama. Arsyen ajo nuk di ta thotë”. (Panorama)
Saturday, 29 October 2011 10:59