Lajme Shqip Saturday, 16 June 2012 20:37

Athinë – Mbrëmë përfundoi fushata parazgjedhore në Greqi për zgjedhjet parlamentare të cilat konsiderohen si më të rëndësishmet për vendin në disa dekadat e fundit, pasi që rezultatet do të ndikojnë mbi eurozonë dhe ekonominë botërore.

Gjasa më të mëdha për të fituar në këto zgjedhje kanë Koalicioni i së majtës radikale – SYRIZA dhe Demokracia e Re konservative, të cilat sipas anketave të fundit kanë gjasa të barabarta. Megjithatë, edhe kësaj radhe nuk pritet asnjë parti të fitojë shumicë absolute. Pas zgjedhjeve të cilat u mbajtën më 6 maj, asnjë parti nuk arriti të formojë qeveri për shkak të dallimeve të mëdha lidhur me masat qeveritare për kursim të imponuara nga BE dhe FMN.

Mediat botërore sot i japin hapësirë të madhe zgjedhjeve në Greqi.

“Liderët botërorë dhe tregjet financiare po përgatiten për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen të dielën në Greqi”, shkruan “Financial Times”. Sipas gazetës, çështja bazë është nëse mjaft shpejtë mund të formohet qeveri e cila do t’i plotësojë kushtet e marrëveshjes me BE-në dhe të parandalohet falimentimi në vend.

“Evropa dhe bota po përgatiten për kataklizëm të mundshëm financiare pas zgjedhjeve parlamentare në Greqi, të cilat mund ta përcaktojnë të ardhmen në eurozonë”, shkruan “Indipendent”.

“Nju-Jork Times” njofton se qindra të punësuar në kompani të mëdha dhe në banka të dielën do të jenë në “stend baj” duke i pritur rezultatet nga zgjedhjet në Greqi. Ata po përgatiten për skenarin më të keq. Druajtja është se votimi do t’i rrisë gjasat e Greqisë për dalje nga eurozona dhe sistemi financiar global do të pësojë pasoja kur bursat do të fillojnë me punë të hënën. Pasi ishin të përgatitur nga stresi ekstrem nga kriza në vitin 2008, bankat e mëdha në SHBA kanë vendosur të jenë të përgatitura kësaj radhe. Ato ndërmarrin masa me qëllim që të ballafaqohen me jostabilitetin në Evropë. Në Nju-Jork dhe Londër bankat kanë formuar ekipe për krizë dhe ushtrojnë reagime të përpunuara mirë të skenarëve të ndryshëm, shkruan “New York Times”.

“Uashington post” pohon se ekzistojnë gjasa të mëdha që grekët nesër të zgjedhin parti e cila do ta tërheq vendin nga eurozona dhe konstaton se “zgjedhjet në Greqi mund ta përcaktojnë të ardhmen e euros”