Athinë – Agimi i Artë në Greqi ngre nevojën për të pajisur me armë luftarake forcat e sigurisë, në mënyrë që të përballen me bandat e huaja kriminale të blinduara, si dhe rivendosjen e dënimit me vdekje në vend, për krimet e kryera prej tyre.
“Vrasësit e huaj e kanë kthyer vendin në një xhungël dhe shteti nuk është në gjendje të merret me ta, ndaj është nevojë emergjente armatosja e forcave të sigurisë me armë të afta për të përballuar bandat e blinduara të kriminelëve të huaj. Kriminelët e arrestuar lirohen shumë shpejt, ose arratisen dhe vazhdojnë të vrasin qytetarë të tjerë të pafajshëm me gjakftohtësi”, shprehet Agimi i Artë, duke përmendur rastin e të arratisurve shqiptarë nga burgu i Trikalas, ndaj sipas kësaj partie, kërkesa për rivendosjen e dënimit me vdekje në Greqi për krime të tilla monstruoze, është më me vend se kurrë.
Nga ana tjetër, punonjësit e burgjeve dhe ministria greke e Drejtësisë janë të shqetësuar nga përshkallëzimi i dhunës së të dënuarve në burgje, të cilët janë kthyer në një lloj mafia të krimit organizuar, që posedojnë përveç thikave të improvizuara edhe armë të rënda si kallashnikovë apo granata.
Shqetësimi vjen nga rasti i pengmarrjes së të burgosurit Alket Rizai në burgun e Malandrinos, nga arratisja që ndodhi në burgun e Trikalas, por edhe nga fakti që në burgje ndodhen më shumë të dënuar, sesa është kapaciteti i tyre. Gjithashtu i ulët është edhe numri i oficerëve të burgut, raporti i të cilëve gjatë natës shkon 1 roje për 500 të burgosur.
Presidenti i Federatës Panhelenike të punonjësve të burgjeve shprehet se nuk duhet pritur të derdhet gjak që të kuptojmë çfarë ndodh pas hekurave të burgut.
Qeveria greke ka vendosur të rrisë fondet, duke përfshirë krijimin e një burgu të sigurisë maksimale, masë që siç vënë në dukje zyrtarët e burgjeve, nuk mjafton për të zgjidhur problemin në tërësi.(LajmeShqip.com)
Sunday, 31 March 2013 19:31