Lajme Shqip Monday, 14 May 2012 10:20

Sarandë- Ndonëse të prekur nga kriza e thellë politike dhe ekonomike, Greqia sërish nuk lë jashtë vëmendjes edhe cështjet nacionale.

Në përkujtim të shpalljes së deklaratës së pavarësisë të Vorio Epirit 98 vjet më parë, dje është organizuar një aktivitet përkujtimor për këtë datë të shënuar për grekët në Delvinaq disa km larg kufirit shqiptar. Në këtë tubim nacionalist, nuk kanë munguar deklaratat që kanë në thelb synimet e dikurshme ndaj territorit të Shqipërisë jugore që i përkasin vecse historisë.

Mitropoliti i Kishës Greke Andrea, ka kërkuar me ngulm në këtë tubim, që termi ”Vorio Epir”, të hyjë në leksikun shqiptar. Krahas kësaj kërkese, ai denoncoi qëndrimin indiferent të shtetit grek ndonëse kriza e ka gjunjëzuar atë. Këto kërkesa u pasuan nga një tjetër e cila u duartrokit nga qindra pjesmarrës, mes të cilëve edhe anëtarë dhe simpatizantë të forcave politike nacionaliste, në atë të rregjistrimit real dhe identifikimit të të gjithë vorioepiriotëve në Shqipëri pasi rregjistrimi i fundit në tetor të vitit të kaluar, ka qenë jo real dhe me tendencë zbehje të numrit të popullsisë greke që jeton në jug të vendit.

Gazetari Vasilis Hitas ish korrenspodent i një prej stacioneve televizive prestigjoze në Greqi ANT1 me origjinë nga fshati Dervician i Gjirokastrës, ish kandidat për deputet në zgjedhjet politike të një jave më parë, denoncoi politikat e qeverisë greke gjatë viteve të fundit duke mos lënë pa anatemuar edhe politikën editoriale të ANT1 rreth cështjeve shqiptaro-greke.

Ai u shpreh se kur ishte në raportim nga terreni gjatë trazirave të 1997 në jug të Shqipërisë, drejteusit e redaksisë së këtij televizioni, e detyronin që të përdorte termin ”Shqipëria e Jugut”, ndërsa personalisht ndërmori hapin e parë për t’a quajtur jugun e vendit nëpër raportimet e përditshme si “Vorio Epiri”. Për Hitas, protokolli i Korfuzit është shkelur nga qeveria shqiptare dhe cfarë është më keq, u la në harresë nga shteti grek. (LajmeShqip.com)