Tiranë – Gratë shqiptare paguhen më pak se burrat. Është ky rezultati i studimit ‘Pabarazia gjinore në pagë-një rast shqiptar’. Aleanca Gjinore për Zhvillim prezantoi sot studimin i cili i dha një përgjigje pyetjes që qarkullon si në familje e në çdo tryezë shoqërore se a paguhen gratë më pak se burrat në Shqipëri?
Në raport thuhet se diferenca gjinore në pagë nga studimi ynë rezulton të jetë 5,725 leke ose 17.4 % më pak. Diferenca gjinore në pagë thellohet me rritjen e moshës. Për grupmoshat në fund të moshës zyrtare të punës diferenca në pagë shkon në 40% në favor të burrave. Diferenca gjinore në pagë vjen duke u ulur me ngritjen e nivelit të edukimit; burrat me nivel edukimi tetëvjeçar dhe të mesëm janë shumë më mirë të paguar se gratë me të njëjtin nivel shkollimi, ndërsa diferenca në pagë për ato gra dhe burra që kanë edukim universitar ose edhe më shumë zvogëlohet ndjeshëm. (26% : 7%).14,6% e grave dhe burrave të punësuar ne zonat urbane paguhen nën pagën minimale zyrtare. Paga minimale zyrtare në Shqipëri prej 20,000 lekë në muaj përfitohet nga 15 % e grave dhe 11% e burrave. Përqindja e të punësuarve pa kontratë është e lartë 46%, por numri i punonjësve/seve me kontratë është lehtësisht më i lartë për gratë, se për burrat. Kjo situatë na çon në përfundimin se numri i grave që paguajnë kontributin e tyre të sigurimeve shoqërore është 7% më i lartë se ai i burrave.
Sipas raportit hendeku më i vogël i diferencës gjinore në pagën orare është në profesionet shumë të kualifikuara. Kjo është dëshmi se arsimimi u lejon grave të përfitojnë paga të afrueshme me burrat, por gjithsesi gati 4 përqind më të ulët se paga e tyre. Gati 73% e burrave dhe grave thonë se paga e tyre aktuale është e pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet për nevojat bazike të jetesës si ushqim, veshje, strehim. 63 % e burrave dhe grave mendojnë gati se sistemi aktual i pagës nuk është mjaftueshmërisht motivues.
‘Në Shqipëri sindikatat e punonjësve nuk kanë ndonjë fuqi në ngushtimin e diferencave gjinore në pagë. Edhe pse situata e përmirësuar e kushteve të jetesës në familje lejon një pjesëmarrje më të lartë të grave në tregun e punës, edhe pse gratë përjashtohen nga punët e vështira, ato përsëri mbesin zemra e përgjegjësive familjare duke punuar gjatë një dite më shumë se burrat përafërsisht 1,7 orë’- vijon raporti.
Studimi ka matur shifrën mesatare e diferencës gjinore në pagë si dhe janë përcaktuar shkaqet pse ndodh dhe pasojat që sjell kjo diferencë. Studimi iu shpërnda 1000 individëve banues në zonën urbane të vendit, dhe brenda grup moshës zyrtare të punësimit.
Friday, 18 May 2012 15:30