Dy persona të armatosur kanë grabitur mëngjesin e sotëm një agjenci të ProCredit Bank në Tiranë. ProCredit bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur pak para orës 9 në një agjenci shërbimi në zonën e Laprakës. 
Sipas njoftimit zyrtar të bankës, nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar. Grabitësit kanë arritur të marrin një shumë parash, që banka e vlerëson si minimale, por pa bërë të ditur vlerën e saktë.
Sipas informacionit të deritanishëm, policia nuk ka arritur të identifikojë dhe të ndalojë autorët.
Vetëm gjatë këtij viti, pre e grabitësve kanë rënë degët e dy bankave tregtare në Durrës dhe në Vlorë, ndërsa pesë grabitje të tjera bankash ishin regjistruar gjatë vitit 2010. Shkalla e zbardhjes së këtyre ngjarjeve dhe e vënies para përgjegjësisë ligjore të autorëve është shumë e ulët.
Për shumicën e grabitjeve në banka dhe institucione financiare, policia nuk ka arritur të arrestojë autorët.
Përballë shtimit të episodeve kriminale të këtij lloji, rezultatet tregojnë se puna e policisë për kapjen e autorëve dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla nuk është aspak efikase.
Wednesday, 21 December 2011 17:37