Gostivar – Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja pasdite ka mbajtur tubim parazgjedhor në sheshin e Gostivarit, ku i prezantoi kandidatët për deputetë në Njësitë e gjashtë zgjedhore.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski theksoi se është i bindur në fitoren e këtyre zgjedhjeve dhe se Koalicioni do ta fitojë përkrahjen.
“Nëse dikujt deri dje nuk i ishte e qartë, pas fushatës së djeshme në Shkup, kjo u është e qartë të gjithëve nga LSDM-ja se më 5 qershor do të fitojë VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni ‘Për Maqedoni më të mirë’. Kjo do të ndodhë për shkak se katër vjet kemi punuar në mënyrë të ndershme dhe kemi shikuar që të mos e gënjejmë popullin”, porositi Gruevski.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së nënvizoi se pas 5 qershorit nga bashkëpunëtorët do të kërkojë angazhim maksimal për realizimin e 1. 200 projekteve nga programi.
“Dëshirojmë ta ruajmë fytyrën dhe në katër vitet e ardhshme të tregojmë se çdoherë kemi qenë me dhe midis popullit”, tha Gruevski.
Duke përmendur një pjesë nga punët e bëra në vitet e kaluara, bartësi i listës Nikolla Todorov e kërkoi përkrahjen e banorëve të Gostivarit.
“Qëndrojmë para jush me Manifestin për zhvillim dhe reforma në njërën dhe Raportin për punën e bërë në dorën tjetër. Nuk ekziston progres dhe pasurim i shpejtë. Ekzistojnë vetëm angazhim dhe shumë punë e investuar, ashtu siç ka punuar deri më tani qeveria e VMRO-DPMNE-së”, tha Todorov.
Nga foltorja u drejtua edhe Amdi Bajram, lideri i Lidhjes së romëve, i cili nga romët e Gostivarit kërkoi të jenë unik dhe të votojnë për Koalicionin, si dhe Shaban Saliu dhe kandidati për deputet nga Gostivari, Darko Dimitrievski.
Monday, 30 May 2011 20:45