Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 09:42

Prishtinë- Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon, ka deklaruar se nuk do të ketë tërheqje të forcave amerikane nga Kosova.

“NATO dhe në kuadër të saj edhe SHBA-të, do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë derisa të arrijnë objektivin”, ka thënë Gordon.

Duke patur parasysh situatën në Kosovë, posaçërisht në veri të saj, forca e NATO-s në Kosovë do të vazhdojë të jetë në të njëjtin nivel, rreth shtatë mijë ushtarë, e në kuadër të tyre afër një mijë ushtarë amerikanë.

“Pra, jo tërheqja, por as zvogëlimi i numrit të forcave amerikane në Kosovë nuk është në agjendën dhe programin e SHBA-ve”, ka konfirmuar Gordon.

Deklarata e tij vjen një ditë pas asaj të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rassmusen se trupat e Aleancës do të qëndrojnë në Kosovë përsa kohë që prania e saj ushtarake të jetë e nevojshme në këtë vend.

Zyrtari më i lartë i NATO-s deklaroi se përshkallëzimi I dhunës në veri të Kosovës detyron NATO-n të jetë ende në pritje dhe të mos nxitojë në vendimet e saj për të reduktuar misionin në Kosovë. (LajmeShqip.com)