Tiranë – Galeria Kombëtare e Arteve ka shpallur konkursin kombëtar për realizimin e logos “100 vjet shtet shqiptar”, e cila do të shoqërojë të gjitha shkresat zyrtare të institucioneve qendrore shtetërore me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë shqiptarë, studio grafike dhe subjekte, të cilët mund të paraqesin në këtë konkurs deri në 5 punime origjinale, të pa publikuara dhe autori mban përgjegjësi ligjore për autencitetin e tyre para ligjit.
Konkursi nuk është i hapur për nxënës dhe studentë. Ndërsa punimi i logos, së bashku me shkrimin “100 vjet Shtet Shqiptar”, duhet të jetë shprehje artistike figurative dhe grafike.
Ngjyrat kryesore në konceptimin e kësaj logoje për 100 Vjetorin e Pavarësisë duhet të jenë ngjyrat e flamurit kombëtar: ngjyra e kuqe dhe ngjyra e zezë, por ato mund të kombinohen edhe me ngjyra të tjera të zgjedhura nga artisti.
Punimet do të dorëzohen në Galerinë Kombëtare të Arteve deri në datën 27 dhjetor 2011, ndërkohë që në 29 dhjetor juria do të shpall fituesin. Logo fituese bëhet pronë e fondit të GKA, Tiranë.
Ky konkurs është në mbështetje të urdhrit të MTKRS, Nr. 287, datë 16.12.2011 Për “Shpallje konkursi me karakter kombëtar”.
Saturday, 17 December 2011 19:30