Gjyqtarët Avni Dinaj, Salih Toplica dhe Rolandus Bruin, të caktuar në Gjykatën e Apelit për të shqyrtuar ankesat lidhur me masën e sigurisë ndaj Salih Mekajt dhe Vlora Goranit, kanë hedhur poshtë vendimin e Gjykatës Themelore për masën e arrestit shtëpiak ndaj tyre.
Përveç kësaj, ky kolegj i deleguar nga KGJK-ja në Apel ka konstatuar se gjyqtari i procedurës paraprake, Vehbi Kashtanjeva, me vendimin e tij nuk ka dhënë asnjë arsye konkrete që fakton dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat pretendon Prokuroria Speciale, duke vlerësuar më tej se aktvendimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Në aktvendimin e ankimuar vetëm janë parafrazuar dispozitat ligjore përkitazi me veprat penale për veprat që dyshohen të pandehurit pa dhënë arsye konkrete se ku konsiston dyshimi i bazuar se janë kryer veprat penale për të cilat të pandehurit pandehen”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga gazeta. “Po ashtu nuk ka arsyetim as për bazat ligjore për të cilat u janë caktuar masat e arrestit shtëpiak dhe masa e ndalimit për t’iu ofruar personave dhe vendit të caktuar fare nuk është arsyetuar”.
Për më tepër, në vendimin e tre gjyqtarëve, nga gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva kërkohen prova konkrete që dëshmojnë dyshimin e bazuar se në liri të pandehurit mund të arratisen, duke kthyer çështjen e caktimit të masës së sigurisë në rivendosje. Kjo, duke marrë për bazë katër ankesa që i janë drejtuar Apelit lidhur me masën e caktuar të arrestit shtëpiak, shkruan Koha Ditore.
Saturday, 01 August 2015 08:42