Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 14:48

Tiranë- Kalendari i punimeve të Kuvendit ka përfshirë në seancën plenare të së enjtes shqyrtimin e projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, miratimi  të cilit kërkon një shumicë të cilësuar(84 vota).

Nga fillimi i punimeve të sesionit të ri parlamentar më 5 shtator, kjo është e dyta herë që ky projektligj përfshihet në rendin e ditës së seancës plenare të radhës. Dy javë më parë (13 shtator) Kuvendi me konsensus shtyu votimin e tij dhe kjo ishte shtyrja e tretë që i bëhej këtij drafti. E para ka qënë në maj 2009, ndërsa e dyta në shtator 2010.

Ligji “Për gjykatat administrative’ e mori shtysën nga ligji konsensual ‘Për organizimin e sistemit gjyqësor’ i shkurtit 2008, në të cilin u përcaktua se gjyqësori do të kishte një degë të specializuar për shqyrtimin e ankimimeve administrative.

Ligji në fjalë u përgatit me ndihmën e ekspertizës europiane e shqiptare, përmes konsultimit të gjerë me grupet e interesit. Ai u dorëzua në Kuvend në nëntor 2008, por pas miratimit konsensual në Kuvend të ligjit “Për kodin zgjedhor” dhe ligjit ‘Për Prokurorinë” më 28 dhjetor 2008, opozita nuk ishte më e gatshme para zgjedhjeve të qershorit 2009 të jepte konsensus për të tjera ligje që kërkonin miratim me 3/5 e votave.

Në muajt e parë të vitit 2009, pas një bashkëpunimi në nivel bipartizan ekspertësh, opozita propozoi disa ndryshime që u pranuan nga maxhoranca në komisionin parlamentar të ligjeve. Por, as ky pranim nuk mundësoi konsensusin e opozitës para zgjedhjeve të 28 qershorit.

Pas procesit zgjedhor bojkoti opozitar pengoi gjithçka. Thirrjes së Ambasadës Amerikane në shtator 2010 për miratimin e ligjit, opozita iu përgjigj negativisht. Për pasojë u dogjën fondet dhe humbëm shansin për fazën e tretë të Sfidës së Mijëvjeçarit.