Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 18:09

Prishtinë – Gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka, njëherësh edhe kryetare e KQZ-së, është kërcënuar me vrasje nga një i burgosur në Burgun e Dubravës, në gjykimin e të cilit ajo kishte qenë gjykatëse. Dakës i është vënë masa e mbrojtjes së afërt nga policia, kurse personi që e ka kërcënuar, Burim Basha, po hetohet nga njësia rajonale e Pejës.

Kërcënim për vrasje të Dakës i kishte shkuar së pari kreut të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, i cili ka konfirmuar se ka kërkuar mbrojtje të afërt për gjykatësen Daka.

“Kjo ka pasur të bëjë me një të gjykuar në Prizren. Pastaj një nga mbrojtësit ka ardhur tek unë dhe më ka thënë se qëllimi i arratisjes së tij është për ta vrarë gjykatësen. Prandaj kemi kërkuar mbrojtje të afërt për Dakën”, ka thënë Hasani, raporton RTK.

Kërcënimin dhe vënien e mbrojtjes së afërt për Dakën e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e PK-së.

Fejzullah Hasani ka thënë se gjykatësit gjithnjë e më tepër po i ekspozohen rrezikut. Ai ka kërkuar që të shtohen masat e përgjithshme të sigurisë ndaj gjykatësve dhe ndaj vetë objekteve.

Burim Basha kishte ikur nga Burgu i Dubravës në gusht të këtij viti, për tu arrestuar sërish. Ai përmes avokatit dhe familjarëve të tij kishte deklaruar se kishte ikur nga burgu  me të vetmin qëllim për ta vrarë gjykatësen. Basha është i dënuar me 30 vjet burgim për një varg veprash penale. Ai tani po hetohet edhe për kanosje të gjykatëses.(K.N)