Lajme Shqip Saturday, 22 October 2011 18:52

Tiranë – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, ritheksoi gatishmërinë e Forcave të Armatosura Shqiptare, për gjetjen e trupave të 8 marinarëve që humbën jetën gjatë aksidentit tragjik që ndodhi të enjten, 20 milje larg portit të Durrësit.

“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë ndihmën dhe mbështetjen tonë, qoftë me mjete logjistike, po kështu edhe me Forca Speciale, në mënyrë që operacioni i nisur për gjetjen e më pas nxjerrjen e trupave të humbur të përfundoj sa më parë”, tha ai gjatë një takimi me ekuipazhin e anijes ushtarake të Forcave të Armatosura turke TCG “Barbarosa”, e cila prej dy ditësh gjendet në vendin tonë për të kryer operacionin e kërkim-shpëtimit të marinarëve.

Atasheu turk në Shqipëri, kolonel Zafer Ugur, i pranishëm në këtë takim vlerësoi gatishmërinë që FA kanë treguar që në momentet e para kur ndodhi ngjarja. “Në emër të shtetit tim dhe Forcave të Armatosura Turke, ne ju falenderojmë përzemërsisht, për gatishmërinë që FA Shqiptare treguan dhe po vazhdojnë të tregojnë edhe sot, duke na ofruar të gjithë ndihmën e mundshme, për gjetjen e trupave të marinarëve të anijes “Reina 1”, tha ai.

Anija ushtarake turke TCG “Barbarosa”, e cila ka prekur ujrat e detit Adriatik mëngjesin e ditës së premte, është e destinuar për të realizuar në det të hapur kërkime të karakterit të vështirë. Qëllimi i mbërritjes së anijes ushtarake turke, është kërkimi i trupave të marinarëve civilë të mbytur tre ditë më parë, 20 milje larg portit të Durrësit, pas tragjedisë ku anija tregtare turke “Reina 1” u përplas me tragetin “Ankara” të linjës Durrës-Bari.

Operacioni për kërkimin e marinarëve fillimisht është përqendruar në vendin ku ndodhi tragjedia dhe ku mendohet të jetë anija e mbytur, duke përcaktuar në këtë mënyrë edhe thellësinë e detit. Ai është kryer në koordinatat ? 4140 Veri dhe ? 1857 Lindje, në një rajon detar rreth 30-40 milje katror. Në bazë të të dhënave që do të nxirren nga këto kërkime më pas do të vendoset edhe se si do të ndërhyet për të nxjerrë nga fundi i detit marinarët e zhdukur. Në ndihmë të anijes turke është vënë anija e Flotës sonë Detare P-131 “Iliria”, anija A-01 dhe anija R-215. Po kështu, në dispozicion të operacionit për kërkim-shpëtimin e marinarëve të zhdukur, është vënë edhe helikopteri BO-105 i Forcave tona Ajrore.